Europa Postuar më 1 Tetor 2025, 09:37

Investime “Made in Europe” për mbrojtjen - Gjermania planifikon 83 miliardë euro për armë të prodhuara në BE

Nga Kristi Ceta

Investime “Made in Europe” për mbrojtjen - Gjermania planifikon

Gjermania planifikon të shpenzojë deri në 83 miliardë euro për armë të prodhuara në Evropë, duke reduktuar varësinë nga sistemet mbrojtëse amerikane. Kancelari Friedrich Merz synon të ndërtojë “ushtrinë më të fuqishme në Evropë”, mes dyshimeve për besueshmërinë e Uashingtonit nën udhëheqjen e Donald Trump.

Sipas raporteve, qeveria gjermane planifikon 154 prokurime të mëdha ushtarake midis shtatorit 2025 dhe dhjetorit 2026, ku vetëm 8% e tyre do të jenë nga furnizues amerikanë, një ndryshim i madh nga varësia e mëparshme nga sistemi ushtarak i SHBA-së.

Vendimi i ri pason kërkesat e presidentit amerikan Trump, sipas të cilit vendet partnere të NATO-s duhet të rrisin shpenzimet për mbrojtje në 5% të PBB-së dhe të blejnë më shumë armatime amerikane. Kjo e ka shtyrë Berlinin të ndjekë një strategji të re, duke blerë armë evropiane.

Varësia e Evropës nga pajisjet ushtarake amerikane është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), importet e armëve nga SHBA në Evropë, duke përfshirë Ukrainën, u trefishuan mes viteve 2020 dhe 2024, krahasuar me pesëvjeçarin e mëparshëm.

Për herë të parë në dy dekada, pjesa më e madhe e eksporteve të armëve amerikane shkoi në Evropë, nga 13% (2015–2019) në 35% (2020–2024). Në total, shtetet evropiane të NATO-s e dyfishuan importin e armëve në këtë periudhë, me dy të tretat që vinin nga SHBA.

Gjermania shënoi një rritje veçanërisht të madhe: importet e saj të armëve u zgjeruan me 334%, nga të cilat rreth 70% erdhën nga Shtetet e Bashkuara.

SHBA gjithashtu vazhdoi të zgjerojë rolin e saj udhëheqës në tregun global të armëve. Eksportet u shtuan me 21% ndërmjet dy pesëvjeçarëve, ndërsa pjesa e saj në tregun global të armëve u zgjerua nga 35% në 43%.

Tani Berlini synon të ndjekë një rrugë të re, në përputhje me moton “Bli Evropiane”.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat