Europa Postuar më 8 Shtator 2025, 10:00

Industria e makinave elektrike, thirrje BE-së - Kërkon zbatimin e objektivit për emetime zero deri në vitin 2035

Nga Kristi Ceta

Industria e makinave elektrike, thirrje BE-së - Kërkon zbatimin e

Më shumë se 150 drejtues të industrisë së makinave elektrike në Evropë kanë nënshkruar një letër të përbashkët, duke i kërkuar Bashkimit Evropian t’i qëndrojë objektivit të emetimeve zero për makinat dhe furgonët deri në vitin 2035.

Nënshkruesit, duke përfshirë kompani si Volvo Cars dhe Polestar, paralajmëruan se çdo vonesë apo zbutje e këtyre objektivave do të dëmtonte tregun evropian të makinave elektrike, do t’u jepte përparësi konkurrentëve globalë dhe do të dëmtonte besimin e investitorëve.

Kjo letër vjen pas një tjetre të dërguar në fund të gushtit nga shoqatat e prodhuesve dhe furnizuesve të automjeteve në Evropë për Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ku theksohej se reduktimi 100% i emetimeve për makinat deri në 2035 nuk ishte më i realizueshëm. Ndër nënshkruesit e saj ishte edhe Mercedes-Benz.

Më 12 shtator, von der Leyen do të diskutojë të ardhmen e sektorit të automjeteve me përfaqësues të industrisë, në një kohë kur ky sektor përballet me konkurrencë të shtuar nga prodhuesit kinezë dhe tarifa të reja nga SHBA.

Sipas zyrtarëve të Polestar, dobësimi i objektivave do të dërgonte sinjalin se BE mund të tërhiqet nga angazhimet e saj. "Kjo nuk do të dëmtonte vetëm klimën e bizneseve, por edhe aftësinë e Evropës për të konkurruar", thanë ata.

Ndërkohë, një drejtues i kompanisë së karikimit të automjeteve elektrike Fastned nënvizoi se qartësia që ofroi objektivi i vitit 2035 ka bërë të mundur investime të rëndësishme në infrastrukturën e karikimit dhe zhvillimin e softuerëve. "Ato investime mund të sjellin fitime vetëm nëse e arrijmë këtë objektiv", shtoi ai.

Sipas një raporti të publikuar nga organizata Transport & Environment (T&E), të gjithë prodhuesit evropianë të makinave, përveç Mercedes-Benz, janë në rrugën e duhur për të përmbushur objektivat e emetimeve për periudhën 2025-2027. Ndërsa Mercedes do të duhet të bashkojë emetimet e veta me ato të Volvo Cars dhe Polestar, për të shmangur gjobat.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat