Europa Postuar më 19 Dhjetor 2025, 11:05

“IA nxit investimet evropiane” - Kreu i BQE-së parashikon rritje të ngadaltë të ekonomisë deri në 2028

Nga Kristi Ceta

“IA nxit investimet evropiane” - Kreu i BQE-së parashikon

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, ka bërë të ditur se ekonomia e eurozonës po përjeton një ndryshim struktural, e nxitur nga investimet për inteligjencën artificiale (IA).

Investimet në këtë sektor po udhëhiqen nga korporatat e mëdha, si dhe nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Shpenzimet janë përqendruar kryesisht në kapacitetin kompjuterik, rrjetet e telekomunikacionit dhe asetet jomateriale si softueri dhe të dhënat, dhe jo në kapitalin fizik tradicional.

Duke pranuar se inteligjenca artificiale mund të rrisë produktivitetin me kalimin e kohës, Lagarde u shpreh kundër nxjerrjes së përfundimeve të parakohshme mbi ndikimin e saj në atë që njihet si norma neutrale e interesit.

Në një mjedis të karakterizuar nga tronditjet gjeopolitike, fragmentimi i tregtisë dhe pasiguria e vazhdueshme, ajo theksoi se parametrat strukturalë mbeten të pazbuluar dhe nuk u diskutuan nga Këshilli Drejtues në mbledhjen e fundit.

Banka Qendrore Evropiane po monitoron nga afër rritjen e pagave, inflacionin në shërbime dhe zhvillimet e tregtisë globale. Të gjitha këto mbeten burime pasigurie për perspektivën e inflacionit. Ky kujdes reflektohet edhe në projeksionet e fundit të stafit të bankës qendrore.

Banka tani parashikon një rritje të ekonomisë së eurozonës prej 1.4% për vitin 2025, ndjekur nga 1.2% në 2026 dhe 1.4% në 2027 dhe 2028, me kërkesën e brendshme që luan një rol më të madh në raport me parashikimtet e fundit.

Projeksionet e inflacionit janë rishikuar pak më lart për vitin 2026, duke reflektuar një ulje më të ngadaltë se sa pritej të inflacionit në shërbime. Inflacioni total pritet të jetë mesatarisht 2.1% në 2025, duke rënë nën objektiv në 2026 dhe 2027, para se të kthehet në 2.0% në 2028.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat