Europa Postuar më 3 Shtator 2026, 09:59

Holanda zhvendos 86 ton ar - Nga SHBA dhe Kanadaja, drejt Londrës. Arsyeja, rritja e trazirave gjeopolitike

Nga Edel Strazimiri

Holanda zhvendos 86 ton ar - Nga SHBA dhe Kanadaja, drejt Londrës. Arsyeja,

Banka qendrore e Holandës (DNB) ka zhvendosur 86 ton ar nga Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja drejt Londrës, duke e justifikuar vendimin me “rritjen e trazirave gjeopolitike” dhe nevojën për të rritur gatishmërinë në rast krize.

Sipas DNB-së, ari i mbajtur në Londër mund të tregtohet më shpejt dhe më lehtë sesa rezervat e ruajtura në Nju Jork dhe Otavë. Kjo i jep bankës mundësi për të përdorur më shpejt rezervat e saj në një situatë të jashtëzakonshme.

“Me këtë hap, ne kemi përmirësuar vendosjen e rezervave të arit”, deklaroi presidenti i DNB-së, duke shtuar se banka shpreson të mos ketë nevojë t'i përdorë ato, por duhet të forcojë qëndrueshmërinë dhe përgatitjen e saj.

Në fund të vitit 2025, Holanda kishte gjithsej 612.4 ton ar, me një vlerë prej rreth 72.2 miliardë eurosh.

Përpara zhvendosjes, 31.3% e arit holandez mbahej në Nju Jork dhe 19.7% në Otavë. Pas operacionit, pjesa e rezervave të mbajtura në këto dy vende ka zbritur në 18.5%.

Ndërkohë, pjesa e arit të ruajtur në Londër është rritur ndjeshëm, nga 18.1% në 32.1%. Holanda vazhdon të mbajë 30.8% të rezervave të arit brenda territorit të saj.

DNB bëri të ditur se operacioni u realizua përmes një kombinimi të blerjeve dhe shitjeve në treg, si dhe transferimit fizik të arit.

Më shumë se 27 ton ar fizik u transportuan nga SHBA-ja dhe Kanadaja drejt Zeist në Holandë. Më pas, një sasi e njëjtë u dërgua nga Zeist në Londër, duke shmangur nevojën për shkrirjen e shufrave ekzistuese.

Sipas bankës holandeze, kombinimi i transaksioneve financiare me transportin fizik ndihmoi në shpërndarjen e rreziqeve që lidhen me lëvizjen e një sasie të madhe ari.

Zhvendosja vjen në një periudhë kur bankat qendrore në mbarë botën po i kushtojnë vëmendje më të madhe sigurisë së rezervave dhe diversifikimit të aseteve, në kushtet e pasigurive dhe tensioneve të shtuara gjeopolitike.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat