Europa Postuar më 10 Tetor 2025, 10:19

Greqia “shpërndan” gazin në Evropë - Gazsjellësi grek, gati të dyfishojë furnizimet nga Azerbajxhani

Nga Kristi Ceta

Greqia “shpërndan” gazin në Evropë - Gazsjellësi

Sistemi grek i transmetimit të gazit natyror është tashmë plotësisht i përgatitur për të pranuar dhe transmetuar dyfishin e sasisë aktuale të gazit nga Azerbajxhani drejt Evropës, pasi dega kryesore e Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP) kalon përmes territorit grek.

Operatori grek i rrjetit të gazit, DESFA, ka përfunduar projektet për përmirësimin dhe forcimin e infrastrukturës kombëtare, ndërsa pritet që seanca plenare e Autoritetit Rregullator Kombëtar të Gazit të miratojë certifikimin përkatës. Ky hap do t’i shtrojë rrugën zyrtarisht dyfishimit të kapacitetit të TAP nga 10 miliardë metra kub në 20 miliardë metra kub gaz në vit.

Zgjerimi vjen në një moment kyç për Evropën, që po përpiqet të zëvendësojë burimet ruse të energjisë përpara vitit 2027. Ky rol tashmë është forcuar nga kapacitetet e gazit të lëngshëm (LNG) në terminalin e Revithoussa-s dhe në njësinë e Aleksandropolis.

Në të ardhmen, Greqia pritet të luajë një rol kyç edhe në dërgimin e gazit drejt Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Evropës Lindore, përmes korridorëve të rinj energjetikë. Me fillimin e funksionimit të “Korridorit Vertikal”, pritet që LNG nga të dy terminalet të arrijë deri në Ukrainë, duke forcuar më tej sigurinë energjetike në një rajon të goditur nga konflikti dhe pasiguritë.

Sipas të dhënave të publikuara nga DESFA për periudhën janar-shtator, ngarkesat me LNG në Revithoussa janë më shumë se dyfishuar, ndërsa eksportet janë rritur ndjeshëm, nga vetëm 0.66 teravat orë (TWh) vitin e kaluar në 5.06 TWh këtë vit.

Ekspertët vlerësojnë se investimet në infrastrukturën energjetike greke do të ndikojnë pozitivisht edhe në stabilitetin ekonomik dhe gjeopolitik të rajonit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat