Europa Postuar më 9 Shtator 2025, 11:14

Greqia prezanton skemën e re tatimore/ Cilat shtresa përfitojnë më shumë nga masa e re e qeverisë?

Nga Kristi Ceta

Greqia prezanton skemën e re tatimore/ Cilat shtresa përfitojnë

Qeveria greke ka njoftuar një skemë të re tatimore që sjell përfitime për miliona tatimpagues, me shumën që ndryshon ndjeshëm në varësi të të ardhurave dhe statusit familjar. Disa persona do të shohin ulje të taksave me mijëra euro, ndërsa të tjerë nuk do të përfitojnë aspak.

Përfituesit më të mëdhenj

Në krye të listës janë familjet me shumë fëmijë. Për një punonjës me katër fëmijë, përfitimi arrin në 5,300 euro me të ardhura prej 75,000 eurosh. Ndërsa për 50,000 euro të ardhura, ulja e taksave arrin në 4,800 euro e për pagën 30,000 euro përfitimi është 4,100 euro. Përveç uljes së shkallëve tatimore, praktiksht kemi edhe një rritje të shumës së papaguar deri në 20,000 euro për familjet me katër fëmijë.

Në vend të dytë janë familjet me tre fëmijë. Për të ardhura prej 75,000 eurosh, përfitimi arrin në 3,300 euro, ndërsa për paga 50,000 euro, deri në 2,800 euro. Për të ardhurat 30,000 euro, përfitimi është më i vogël, por gjithsesi i dukshëm, në 2,100 euro. Të tretët në renditje janë punëtorët me dy fëmijë. Për pagat 75,000 euro, përfitimi është 2,400 euro dhe për ato 50,000 euro shkon 1,900 euro.

Më pas vijnë familjet me një fëmijë, të cilat gjithashtu marrin lehtësime të rëndësishme, duke përfshirë pagat deri në 30,000 euro.

Fitimet më të vogla

Në fund të listës janë punonjësit pa fëmijë. Për pagat deri në 75,000 euro, përfitimi është i kufizuar në 1,600 euro, ndërsa deri në 50,000 euro ulja është 1,100 euro. Ndërsa personat me paga deri 20,000 euro do të marrin vetëm 200 euro.

Kush nuk përfiton asgjë

Ekzistojnë edhe kategori që nuk kanë pësuar asnjë ndryshim. Personat beqarë me të ardhura deri në 10,000 euro do të vazhdojnë të paguajnë të njëjtën shumë takse, vetëm 123 euro. Për ata me një fëmijë, përjashtimi deri në 10,000 euro mbetet i pandryshuar, pa përfitim shtesë. E njëjta gjë vlen për familjet me dy fëmijë me të ardhura deri në 11,000 euro, për ato me tre fëmijë deri në 12,000 euro dhe ato me katër fëmijë deri në 20,000 euro.

Reforma përcakton qartë fituesit dhe “neutralët”. Askush nuk humb, por përfitimet ndryshojnë në mënyrë spektakolare: nga disa qindra euro për të ardhurat më të ulëta deri në mbi 5,000 euro në vit për familjet më të mëdha me të ardhura të larta. Përfituesit do të jenë rreth katër milionë, ndërsa rreth pesë milionë nuk do të ndikohen nga masa.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat