Europa Postuar më 28 Qershor 2025, 14:36

Greqia “piqet” nga zjarret në kulmin e sezonit turistik - Chios në flakë, 40.000 ha tokë të djegura

Nga Hamit Yzeiraj

Greqia “piqet” nga zjarret në kulmin e sezonit turistik - Chios

Në kulmin e sezonit veror, Greqia po përballet me një situatë alarmante për shkak të zjarreve që po përfshijnë zona të njohura turistike. Ishulli i Chios-it është një nga pikat më të prekura, ku disa vatra shpërthyen njëkohësisht dhe deri tani kanë djegur rreth 40,000 hektarë tokë.

Ndërkohë, në jug të Athinës, në zonën bregdetare të Palaia Fokaia, zjarret kanë përfshirë banesa dhe shtëpi pushimi, duke detyruar banorët dhe pushuesit të evakuohen. 130 zjarrfikës, të mbështetur nga 12 avionë dhe 12 helikopterë, janë angazhuar në përpjekjet për të përballuar flakët, të përkeqësuara nga erërat e forta dhe temperaturat ekstreme që të enjten arritën 38°C.

Zëdhënësi i zjarrfikësve, Vasilios Vathrakogiannis, deklaroi se 40 persona janë shpëtuar, ndërsa roja bregdetare ka ndërhyrë për të asistuar në evakuime të tjera të mundshme.

“Zjarrfikësit po zhvillojnë një betejë të madhe me flakët, sidomos pranë banesave,” tha ai, duke nënvizuar se një rrugë bregdetare e zonës është mbyllur për siguri.

Pamjet filmike tregojnë tym të dendur mbi zona të gjelbëruara që tashmë janë shkrumbuar, duke i dhënë situatës një pamje dramatike në mes të një sezoni që tradicionalisht mbush Greqinë me turistë.

Zjarret dhe përmbytjet, të përshkallëzuara nga ndryshimet klimatike, janë kthyer në një sfidë të përvitshme për vendin fqinj. Autoritetet greke kanë shtuar ndjeshëm investimet në pajisje moderne dhe logjistikë, si dhe kanë rritur numrin e zjarrfikësve në një rekord prej 18,000 efektivwsh, në përgatitje për një verë që pritet të jetë ndër më të vështirat.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat