Europa Postuar më 9 Nëntor 2025, 10:38

Greqia nis kërkimet për gaz natyror në Mesdhe - Projekti mbështetet nga SHBA, ndërsa përballet me kritika nga OKB

Nga Kristi Ceta

Greqia nis kërkimet për gaz natyror në Mesdhe - Projekti

Ndërsa liderët botërorë mblidhen në samitin COP30 në Brazil për të nxitur më shumë veprime ndaj ndryshimeve klimatike, Greqia njoftoi se do të fillojë kërkimet për karburante fosile në Detin Mesdhe, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara.

Sipas marrëveshjes, kompania më e madhe amerikane e naftës, ExxonMobil, do të eksplorojë për gaz natyror në ujërat veriperëndimore të ishullit të bukur të Korfuzit, së bashku me kompanitë greke Energean dhe HELLENiQ ENERGY.

Kjo është hera e parë pas më shumë se katër dekadash që Greqia përdor ujërat e veta për eksplorim gazi. Administrata e presidentit amerikan Donald Trump e sheh këtë si një fitore në përpjekjet e saj për të penguar veprimet klimatike dhe për të forcuar dominimin global të industrisë amerikane të karburanteve fosile.

Partneriteti vjen tre javë pasi SHBA ndaloi me sukses një marrëveshje globale për vendosjen e një takse karboni mbi transportin detar, me mbështetjen e Greqisë.

“Nuk ka tranzicion energjetik, ka vetëm shtim të energjisë,” tha një zyrtar amerikan, i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit në Athinë. “Greqia po përdor burimet e saj natyrore dhe ne po punojmë së bashku për kapacitet energjetik të bollshëm,” shtoi ai.

Vetëm disa orë më vonë, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri një apel të fuqishëm për vendet që të ndalojnë eksplorimin e qymyrgurit, naftës dhe gazit.

Kërkimet për gazin natyror, një karburant fosil që kontribuon ndjeshëm në ngrohjen globale, priten të fillojnë në fund të vitit të ardhshëm ose në fillim të vitit 2027. Muajin e kaluar, Greqia dhe Qipro ishin dy vendet e vetme të BE-së që votuan për të ndalur për një vit përpjekjen historike që taksonte ndotjen klimatike të transportit detar. Athina pretendoi se vendimi i saj nuk kishte lidhje me presionin amerikan, që sipas disa burimeve, përfshinte edhe kërcënime ndaj negociatorëve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat