Europa Postuar më 1 Gusht 2026, 11:33

Greqia luftë me zjarret, përmirësim në Francë e Spanjë/ Evropa 3.3 gradë Celsius mbi mesataren e saj nga viti 1961

Nga SCAN TV

Greqia luftë me zjarret, përmirësim në Francë e

Evropa po shkatërrohet nga zjarret këtë verë, pas valëve të njëpasnjëshme rekord të të nxehtit, duke lënë pas sipërfaqe të mëdha bimësie të shkretuara dhe duke detyruar qindra mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre. Banorët e dy lagjeve periferike në perëndim të Athinës u këshilluan të evakuoheshin si masë paraprake, ndërsa tymi ngrihej nga kodrat e pyllëzuara që rrethojnë kryeqytetin grek. Në Beoti, në veriperëndim të Athinës, qindra banorë dhe vizitorë u evakuuan me anije të rojes bregdetare dhe anije peshkimi. Ndërsa binte nata, shkëlqimet e kuqe të flakëve gjigante ishin të dukshme në terrenin kodrinor të paarritshëm mbi Porto Germeno, një fshat bregdetar i cili është një vendpushim popullor për athinasit.

Më shumë se 70 zjarre shpërthyen në të gjithë vendin të premten. Brigada greke e zjarrfikësve tha se ishte në nivelin maksimal të gatishmërisë, duke paralajmëruar se rreziku i zjarrit ishte veçanërisht i lartë në gadishullin e Atikës, pellgun e thyer ku ndodhet Athina.

Ndërkohë në Francën jugperëndimore, autoritetet po i lejojnë njerëzit të kthehen në shtëpi pasi një zjarr i madh që vijoi një javë rrjesht, u vu nën kontroll. Urdhrat e evakuimit u hoqën në 12 zona në perëndim dhe jugperëndim të Bordosë, duke lejuar 144 mijë nga 220 mijë personat e zhvendosur të kthehen në shtëpi.

Edhe Spanja hoqi të enjten emergjencën kombëtare në Avila dhe në Madrid, duke ia rikthyer kontrollin autoriteteve rajonale. Gjithësesi ekipet e zjarrfikësve mbetën në gatishmëri të lartë pas rrezikut për shpërthime të tjera zjarri.

Evropa është kontinenti që sipas studime më të fundit shkencore po përjeton ndryshime të thella klimatike të shkaktuara nga njeriu. Teperaturat e larta dhe thatësira kanë përfshirë gjithë kontinentin në muajt e fundit, duke mos lënë asnjë pushim për ekipet e emergjencës.

Temperatura mesatare e Evropës të premten ishte 3.3 gradë Celcius mbi mesataren tipike nga viti 1961.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat