Europa Postuar më 31 Tetor 2025, 09:42

Greqi, turizmi “mbush” arkën e shtetit - Tarifat e reja për vizitorët kanë sjellë mbi 300 milionë euro deri në gusht

Nga Kristi Ceta

Greqi, turizmi “mbush” arkën e shtetit - Tarifat e reja

Ndërsa të ardhurat nga turizmi po rriten, të ardhurat shtetërore greke po zgjerohen gjithashtu, jo vetëm nga taksat mbi bizneset dhe TVSH-ja, por edhe nga tarifat e vendosura mbi aktivitetet turistike. Bëhet fjalë për masa si tarifa për qëndrueshmërinë klimatike dhe ajo për pasagjerët e anijeve turistike.

Sipas të dhënave nga Ministria e Transportit Detar dhe Politikave për Ishujt, në periudhën nga 21 korriku, kur nisi zbatimi i taksës për anijet turistike, deri më 21 tetor, të ardhurat shtetërore arritën në 31 milionë euro. Vlerësohet se deri në fund të vitit kjo shumë do të kalojë 40 milionë euro.

Gjithashtu, fitimet nga tarifa e qëndrueshmërisë klimatike, që paguhet për çdo natë qëndrimi, gjatë tetë muajve të parë të vitit kanë arritur rreth 300 milionë euro. Vetëm në muajin korrik, një nga muajt kulmorë, kjo masë solli 86.94 milionë euro.

Të dyja tarifat janë krijuar me klauzola që parashikojnë kthimin e një pjese të të ardhurave në komunitetet lokale, përmes investimeve në infrastrukturë dhe fusha të tjera. Megjithatë, shpërndarja e fondeve të mbledhura në vitin 2024, që arrijnë afërsisht 370 milionë euro, mbetet e paqartë. Vlen të theksohet se vitin e kaluar tarifa klimatike ishte më e ulët dhe u rrit nga fillimi i vitit 2025, sipas një vendimi qeveritar. Ndërsa masa për pasagjerët e anijeve u zbatua për herë të parë pas mesit të korrikut. Në total, vlerësohet se këto dy tarifa do të sjellin të ardhura që do t’i afrohen 1 miliard eurove për periudhën 2024–2025.

Sipas të dhënave të Bankës së Greqisë, turizmi grek, ka mbetur i qëndrueshëm gjatë tetë muajve të parë të vitit 2025. Nga janari deri në gusht, të ardhurat nga ky sektor u zgjeruan me 1.7 miliardë euro ose 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 16.7 miliardë euro. 

Fitimet nga turistët gjermanë u shtuan me 6.6% duke arritur në 2.637 miliardë euro, ndërsa ato nga Franca u rritën me 5.5%. Nga Mbretëria e Bashkuar u shënua një zgjerim prej 8.7% në 2.485 miliardë euro, ndërsa tregu amerikan shënoi rritjen më të lartë, me 20.6%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat