Europa Postuar më 10 Nëntor 2025, 09:22

Greqi, shtohen investimet e huaja direkte - OECD: Gjatë vitit të kaluar stoku arriti në 72 miliardë euro

Nga Dorian Koça

Greqi, shtohen investimet e huaja direkte - OECD: Gjatë vitit të

Besimi në ekonominë greke tregohet nga flukset e larta të investimeve të huaja direkte (IHD) në Greqi, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga OECD. Në vitin 2024, investimet e huaja direkte në Greqi arritën në 7.6 miliardë euro, që është shuma e dytë më e lartë e regjistruar në 15 vitet e fundit pas 8.4 miliardë eurove në vitin 2022.

Ndërsa, në gjysmën e parë të vitit 2025, flukset hyrëse të investimeve të huaja vazhduan me ritëm të lartë, duke arritur në 3.1 miliardë euro nga 2.5 miliardë euro në periudhën përkatëse të vitit të kaluar.

Rritja e flukseve rezultoi në një stok të investimeve të huaja direkte që iu afrua 72 miliardë eurove në vitin 2024, nga 66 miliardë euro një vit më parë.

Investimet e huaja direkte të bizneseve greke jashtë vendit arritën në 3 miliardë euro në vitin 2024, ndërsa në gjysmën e parë të vitit 2025 ato arritën në 1.8 miliardë euro.

Sipas OECD-së, ekzistojnë tre forma të IHD-ve: blerja e kapitalit, që është më e rëndësishmja, riinvestimi i fitimeve dhe huadhënia midis kompanive. Blerja e kapitalit shoqërohet kryesisht me investime të reja, të cilat përfshijnë ose bashkime dhe blerje, ose krijimin e bizneseve të reja, ndërsa në një masë më të vogël mund të pasqyrojë injektime kapitali, ose ristrukturim financiar.

Riinvestimi i fitimeve i referohet përqindjes së fitimeve që kompania mëmë që bën investimet e huaja direkte vendos të mos ua shpërndajë aksionarëve të saj, por ta investojë në degën e saj.

Huadhënia midis kompanive mëmë dhe atyre degë është komponenti më i paqëndrueshëm i flukseve të IHD-ve dhe shpesh drejtohet nga nevojat afatshkurtra të financimit të kompanive dhe jo nga zhvillimet më të gjera makroekonomike.

Flukset globale të investimeve të huaja direkte mbetën të qëndrueshme, por në nivele relativisht të ulëta (663 miliardë dollarë) në gjysmën e parë të vitit 2025. SHBA, Brazili dhe Mbretëria e Bashkuar ishin tre destinacionet më të mëdha të investimeve në botë. Flukset hyrëse të investimeve në vendet e OECD-së ranë me 4%, kryesisht për shkak të rënies në vendet e Bashkimit Evropian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat