Europa Postuar më 2 Shtator 2025, 09:32

Greqi, qeveria planifikon ulje taksash/ Paketa 1.5 miliardë euro përfshin mbështetje për familjet dhe pensionistët

Nga Kristi Ceta

Greqi, qeveria planifikon ulje taksash/ Paketa 1.5 miliardë euro

Qeveria greke po përgatit një paketë ndihmash dhe mbështetjeje prej 1.5 miliardë euro, që do të shpallet nga Kryeministri Kyriakos Mitsotakis gjatë Panairit Ndërkombëtar të Selanikut, ku tradicionalisht njoftohen politikat ekonomike dhe sociale të vitit.

Paketa përfshin ulje taksash për shtresat e mesme, mbështetje për familjet me fëmijë, pensionistët dhe punonjësit me uniformë, si dhe masa për të përballuar sfidat e strehimit në vend. Qeveria synon të përdorë të ardhurat shtesë të krijuara nga rritja ekonomike dhe lufta ndaj evazionit fiskal për të lehtësuar barrën ndaj shtresave më të prekura.

Sipas të dhënave të fundit të buxhetit, ekonomia po shënon një performancë të fortë, me një suficit primar prej 7.9 miliardë eurosh në shtatë muajt e parë të vitit dhe të ardhura tatimore që tejkalojnë pritshmëritë me 2.1 miliardë euro.

Masat fiskale do të fokusohen në të ardhurat vjetore nga 20,000 deri në 40,000 euro, por do të përfitojnë edhe qytetarët me të ardhura më të ulëta. Familjet me fëmijë do të kenë rritje të pragut të të ardhurave të përjashtuara nga taksat, në varësi të numrit të fëmijëve.

Po ashtu, pritet ndryshim në mënyrën e taksimit të të vetëpunësuarve dhe heqja e “diferencës personale” për 600,000 pensionistë që janë pensionuar para vitit 2016, duke u mundësuar atyre përfitime më të mëdha.

Punonjësit me uniformë do të përfitojnë nga një rritje page përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë financiare. Masat për strehimin do të përfshijnë stimuj për pronarët që të nxjerrin më shumë banesa me qira, ndihmë për qiramarrësit dhe përparim në programin e banesave sociale të qeverisë. Gjithashtu, pezullimi i TVSH-së për ndërtimet e reja do të zgjatet deri në fund të vitit 2026.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat