Europa Postuar më 27 Nëntor 2025, 09:42

Grekët, më të varfër se 20 vite më parë - Të ardhurat reale të familjeve, ende nën nivelin e vitit 2004

Nga Kristi Ceta

Grekët, më të varfër se 20 vite më parë - Të

Dy dekada pasi Greqia përjetoi euforinë e Lojërave Olimpike të Athinës 2004 dhe triumfin surprizë në Euro 2004, familjet greke sot kanë më pak të ardhura të disponueshme reale sesa atëherë. Kjo ka ardhur pavarësisht daljes së vendit nga programet e shpëtimit në 2018 dhe një periudhe të fundit me rritje pagash dhe ulje të papunësisë.

Sipas të dhënave të Eurostat, të ardhurat e disponueshme reale për frymë në Greqi janë tani 5.2% më të ulëta se në vitin 2004. Ato mbeten gjithashtu nën nivelet e vitit 2010, kur Greqia hyri në programin e parë të shpëtimit financiar. Në 2024, indeksi arriti në 96.21% të vlerës së vitit 2010, duke u rritur vetëm 1.85% krahasuar me 2023.

Ky tregues pasqyron shumën e të ardhurave që familjet kanë në dispozicion për shpenzime dhe kursime pas taksave dhe kontributeve sociale, të përshtatura sipas inflacionit. Ai përfshin edhe vlerën e shërbimeve si arsimi dhe kujdesi shëndetësor, që ofrohen falas nga institucionet publike ose jofitimprurëse.

Ndërsa familjet në Bashkimin Evropian shënuan mesatarisht një rritje prej 22% në të ardhurat reale për frymë midis viteve 2004 dhe 2024, Greqia dhe Italia ishin të vetmet shtete anëtare që regjistruan rënie. Rumania reflektoi zgjerimin më të madh, me +134%, e ndjekur nga Lituania (95%), Polonia (91%) dhe Malta (90%). Rritjet më të vogla u regjistruan në Spanjë (11%), Austri (14%), Belgjikë (15%) dhe Luksemburg (17%).

Ekonomistët thonë se pandemia e Covid-19 dhe më pas rritja e fortë e inflacionit zhdukën pjesën më të madhe të progresit të arritur pas daljes së Greqisë nga programet e shpëtimit. Pakënaqësia publike për koston e jetesës është pasqyruar vazhdimisht në sondazhe, me shumë qytetarë që e shohin të pamjaftueshme mbështetjen e qeverisë.

Të dhënat e Eurostat-it tregojnë gjithashtu se Greqia ka nivelin më të lartë të së ashtuquajturës “varfëri subjektive” në BE, një tregues që mat se si qytetarët e perceptojnë gjendjen e tyre financiare. Në vitin 2024, 66.8% e grekëve deklaruan se po përballen me vështirësi ekonomike, krahasuar me mesataren e BE-së prej 17.4%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat