Europa Postuar më 13 Shtator 2025, 10:24

Gjermania planifikon të dyfishojë forcat e armatosura - Mbi 100,000 ushtarë aktivë nevojiten për të përmbushur objektivat e NATO-s

Nga Kristi Ceta

Gjermania planifikon të dyfishojë forcat e armatosura - Mbi 100,000

Gjermania duhet të shtojë 100,000 ushtarë aktivë mbi 62,000 që ka aktualisht për të përmbushur objektivat e NATO-s, që synojnë të rrisin gatishmërinë ndaj kërcënimit rus, tha komandanti i ushtrisë në një dokument konfidencial, sipas Reuters.

“Është e domosdoshme që ushtria të bëhet mjaftueshëm e gatshme për luftë deri në vitin 2029 dhe të sigurojë kapacitetet që Gjermania ka premtuar ndaj NATO-s deri në vitin 2035,” thanë burimet zyrtare. Arritja e këtyre objektivave është e pamundur me nivelin aktual të personelit, që përfshin edhe 37,000 ushtarë joaktivë.

Gjermania ka nisur tashmë rritjen e angazhimeve ndaj aleatëve në Evropën Lindore, duke përfshirë krijimin e një brigate gjermane në Lituani me rreth 5,000 ushtarë dhe një mision patrullimi detar në Baltik për të kundërshtuar sabotimet nënujore.

Kreu i ushtrisë gjermane kërkoi një shtesë prej rreth 45,000 ushtarësh aktivë deri në vitin 2029, kur aleanca e udhëhequr nga SHBA parashikon se Rusia mund të jetë e aftë të nisë një sulm të gjerë ndaj aleatëve perëndimorë. Ndërkohë, Moska ka mohuar vazhdimisht planet për luftë kundër NATO-s apo anëtarëve të saj.

Përveç kësaj, për të përmbushur objektivat dhe për të ndërtuar rezerva për një luftë të gjatë si ajo që Kremlini po zhvillon në Ukrainë, ushtria gjermane parashikon nevojën për 45,000 trupa aktivë të tjerë deri në vitin 2035. Gjithashtu, nevojiten edhe rreth 10,000 ushtarë shtesë për të forcuar mbrojtjen territoriale.

Në qershor, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se Gjermania do të ketë nevojë për deri në 60,000 personel shtesë aktiv në të gjitha degët ushtarake për të përmbushur objektivat e rinj të NATO-s, duke çuar forcën e ardhshme të Bundeswehr-it në rreth 260,000 ushtarë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat