Europa Postuar më 9 Shtator 2026, 13:48

Gazi fluturon, Europa në alarm - Çmimet arrijnë nivelet më të larta që nga 2023. IEA kërkon rezerva strategjike

Nga Edel Strazimiri

Gazi fluturon, Europa në alarm - Çmimet arrijnë nivelet më

Çmimet e gazit natyror në Europë kanë prekur nivelin më të lartë që nga fillimi i vitit 2023, duke kaluar 79 euro për megavat-orë. Rritja vjen në një moment kur përshkallëzimi i konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit ka shtuar shqetësimet për furnizimet me gaz të lëngshëm natyror, LNG.

Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalonte rreth 20% e tregtisë globale të LNG-së përpara konfliktit, është praktikisht e mbyllur prej disa muajsh. Kjo ka kufizuar furnizimet nga Lindja e Mesme dhe ka rritur pasigurinë në tregun europian.

Çmimi referencë i gazit në bursën holandeze TTF është rritur ndjeshëm gjatë vitit, nga rreth 26.5 euro në fillim të vitit në mbi 79 euro për megavat-orë. Ekspertët paralajmërojnë se nëse furnizimet nga Lindja e Mesme rikthehen ngadalë, çmimi mund të kalojë edhe 100 euro në dhjetor.

Situata komplikohet edhe nga nivelet e ulëta të rezervave europiane. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Europa po përballet menjëherë me mungesë gazi. Konsumi i gazit në Bashkimin Europian mbetet rreth 15 deri në 20% më i ulët se në vitin 2021, duke lejuar funksionimin me rezerva më të ulëta.

Por varësia nga LNG-ja është rritur ndjeshëm pas reduktimit të furnizimeve me gaz rus përmes tubacioneve. Europa ka shtuar kapacitetet për importin e LNG-së, por terminalet nuk garantojnë vetë furnizimin. Kontinenti duhet të sigurojë dhe të paguajë për ngarkesat në një treg global gjithnjë e më konkurrues.

Në këtë situatë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, IEA, u ka bërë thirrje qeverive të ndryshojnë mënyrën se si përgatiten për krizat energjetike. Agjencia propozon krijimin dhe zgjerimin e rezervave strategjike të gazit, të cilat do të përdoren vetëm në raste emergjence.

Aktualisht, Italia, Polonia dhe Spanja kanë rezerva të tilla. Në vitin 2025, rreth 12 miliardë metra kub gaz mbahej si rezervë strategjike në Bashkimin Europian, ekuivalent me rreth 3.5% të konsumit vjetor.

IEA kërkon gjithashtu më shumë bashkëpunim mes vendeve, kontrata më fleksibël dhe blerje të përbashkëta të LNG-së, në mënyrë që furnizimet të mund të drejtohen më shpejt drejt vendeve që përballen me mungesa.

Agjencia sugjeron edhe përdorimin e kapaciteteve të magazinimit në Ukrainë pas përfundimit të luftës, nëse kushtet e sigurisë e lejojnë. Sipas saj, Europa mund të ruajë atje nga 10 deri në 15 miliardë metra kub gaz.

Rritja e çmimeve të energjisë po ushtron presion edhe mbi inflacionin europian. Inflacioni në eurozonë arriti 3.3% në gusht, ndërsa kostot e larta të energjisë po shtojnë shqetësimet për norma më të larta interesi dhe kosto më të mëdha financimi për qeveritë.

Mesazhi i IEA-së është se rezervat emergjente kanë një kosto, por mungesa e përgatitjes mund të jetë shumë më e shtrenjtë në rast të një tjetër krize të furnizimit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat