Europa Postuar më 31 Mars 2025, 12:16

Francë, Le Pen shpallet fajtore për korrupsion - Kreu i ekstremit të djathtë dënohet për shpërdorim të fondeve të BE-së

Nga Kristi Ceta

Francë, Le Pen shpallet fajtore për korrupsion - Kreu i ekstremit

Një gjykatë franceze e shpalli fajtore lideren e ekstremit të djathtë Marine Le Pen për shpërdorim të fondeve të BE-së. Dënimi që pritet së shpejti mund ta ndalojë atë nga gara presidenciale 2027, duke përmbysur rrjedhën politike në Francë.

Le Pen, kreu i Tubimit Kombëtar të ekstremit të djathtë (RN), është kryesuesja në sondazhet e opinionit përpara zgjedhjeve të vitit 2027.

Prokurorët kishin kërkuar që Le Pen të përballet me një ndalim të menjëhershëm prej pesë vitesh nga posti publik nëse shpallet fajtore, pavarësisht nga çdo proces apelimi, duke përdorur një masë të ashtuquajtur "ekzekutim të përkohshëm". Gjyqtarët mund të miratojnë, modifikojnë ose injorojnë kërkesën e prokurorëve.

Një ndalim automatik prej pesë vitesh do të ishte një goditje e madhe për Le Pen, 56 vjeç, e cila ka thënë se viti 2027 do të jetë kandidimi i saj i fundit për postin e lartë. Ajo gjithsesi do të ruante vendin e saj në parlament deri në fund të mandatit.

Le Pen, e cila nuk foli me gazetarët kur mbërriti në gjykatë, ka akuzuar prokurorët se po kërkonin "vdekjen e saj politike", duke pretenduar një komplot për të mbajtur Tubimin Kombëtar larg pushtetit. Një situatë e ngjashme me akuzat ndaj Presidentit të SHBA-së Donald Trump për problemet e tij ligjore.

Le Pen, partia e saj dhe shumë figura të tjera partiake u akuzuan për devijimin e fondeve të Parlamentit Evropian për të paguar stafin e partisë me bazë në Francë. Të pandehurit thanë se paratë janë përdorur në mënyrë legjitime dhe akuzat përcaktojnë shumë ngushtë atë që bën një asistent parlamentar.

Gjykata shpalli Le Pen, tetë persona të tjerë që ishin ligjvënës të BE-së në atë kohë dhe 12 asistentë parlamentarë fajtorë për përvetësim të fondeve të bllokut.

Sipas gjykatësit, "U vërtetua se të gjithë këta njerëz në të vërtetë punonin për partinë, se ligjvënësi i tyre (BE) nuk u kishte dhënë atyre asnjë detyrë. Hetimet treguan gjithashtu se këto nuk ishin gabime administrative...por përvetësim brenda kornizës së një sistemi të vendosur për të ulur kostot e partisë."

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat