Europa Postuar më 17 Shtator 2025, 11:38

Fjalimi në Bundestag, Merz përgatiti gjermanët për ndryshime të thella këtë vjeshtë

Nga SCAN TV

Fjalimi në Bundestag, Merz përgatiti gjermanët për ndryshime

"Vendi ynë ndodhet para vendimeve të rëndësishme këtë vjeshtë". Në fjalimin e tij në Bundestag këtë të mërkurë, Friedrich Merz e paraqiti veten si kancelar reformist, ai i përgatiti gjermanët për reforma të gjera në muajt e ardhshëm. "Vendi ynë ndodhet para vendimeve të rëndësishme këtë vjeshtë", tha Merz gjatë debatit të përgjithshëm mbi buxhetin e Kancelarit në Bundestag. Prandaj është e rëndësishme, të "marrim rrugën e duhur në këtë moment historik". Nuk ka të bëjë "me asgjë më shumë dhe asgjë më pak se me të ardhmen e vendit tonë - si jetojmë, si jetojmë së bashku, si punojmë, si bëjmë biznes dhe nëse vlerat tona do të vazhdojnë të qëndrojnë". "Vendimet që na presin nuk kanë të bëjnë me detaje, por me çështje shumë themelore", tha kreu i CDU.

Në fjalën e tij, Merz theksoi se liria është nën kërcënim, qytetarët po ndiejnë një ndjenjë në rritje të pasigurisë. Po ashtu ai paralajmëroi se modeli ekonomik gjerman është nën presion nga "një proteksionizëm i ri i drejtuar kundër tregtisë së lirë dhe tregjeve të hapura”. Ai kërkoi edhe reforma të thella në sistemin e pensioneve. "Ne gjithashtu duhet të ristrukturojmë sistemin tonë të pensioneve." Kancelari e justifikoi këtë me ndryshimet demografike, duke argumentuar se të rinjtë nuk duhet t'i nënshtrohen barrës shtesë në Gjermani.

Merz në fjalën e tij iu referua edhe luftës në Ukrainë dhe tha se ajo duhet të përfundojë. Por duhet të presim, se ajo nuk do të përfundojë shpejt, theksoi kancelari gjerman. "Putini ka kohë që po teston kufijtë. Ai saboton, spiunon, vret, përpiqet të krijojë pasiguri", tha Merz.

Kjo është parë kohët e fundit jo vetëm në Poloni; Rusia gjithashtu dëshiron të destabilizojë shoqërinë gjermane, paralajmëroi Merz.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat