Europa Postuar më 11 Prill 2025, 10:22

Firmat farmaceutike, objektivi i radhës i Trump - Kompanitë e BE-së mund të zhvendosen në SHBA, në rast tarifash

Nga Kristi Ceta

Firmat farmaceutike, objektivi i radhës i Trump - Kompanitë e

Kompanitë farmaceutike në BE kanë paralajmëruar për një "rrezik eksodi" drejt SHBA-së, ndërsa aksionet në këtë sektor ranë në të gjithë botën pas kërcënimit të Donald Trump për të vendosur tarifa mbi importet e barnave amerikane.

Aksionet e kujdesit shëndetësor evropian ranë me 3.9% duke arritur nivelin më të ulët që nga tetori 2022. Gjithashtu, vlera e aksioneve të AstraZeneca ra me më shumë se 5%, GSK më shumë se 4% dhe Roche 5.6%.

Trump vendosi tarifa të reja për importet nga 57 vende dhe territore, duke përfshirë një taksë prej 20% për mallrat nga 27 shtetet anëtare të BE-së, 104% për Kinën dhe 27% për Indinë. Këto pasuan detyrimet prej 10% për importet nga të gjitha vendet të vendosura të premten e kaluar.

Produktet farmaceutike deri më tani janë përjashtuar nga taksat, por presidenti amerikan tha se do të njoftonte një tarifë të madhe për importet e barnave "shumë shpejt". Ai pretendoi se kjo do t'i nxiste kompanitë farmaceutike të zhvendosnin operacionet e tyre në SHBA, por dha më tepër detaje.

Federata Evropiane e Industrive dhe Shoqatave Farmaceutike, anëtarët e së cilës përfshijnë Bayer, Novartis dhe Novo Nordisk e shumë të tjerë, realizoi një takim me von der Leyen, disa orë para se Trump të lëshonte kërcënimin e tij të ri.

Komentet e fundit të liderit amerikan kanë intensifikuar tensionet në qendrat e prodhimit farmaceutik në të gjithë Evropën, duke përfshirë Irlandën, që eksportoi 44 miliardë euro produkte farmaceutike në SHBA në vitin 2024, shumica e të cilave janë prodhuar nga kompani shumëkombëshe amerikane që Trump dëshiron t'i riatdhesojë.

“Do t’u vendosim tarifa produkteve tona farmaceutike dhe sapo ta bëjmë këtë, ato do të kthehen me nxitim në vendin tone, sepse ne jemi tregu i madh, ky është avantazhi që kemi mbi të gjithë. Pra, shumë shpejt do të shpallim një tarifë të madhe mbi produktet farmaceutike,” tha presidenti amerikan.

Federata Evropiane e industrisë e ka paralajmëruar presidenten von der Leyen për rrezikun e eksodit në SHBA, duke shtuar se “nëse Evropa nuk ofron ndryshime të shpejta dhe radikale në politika, atëherë kërkimi, zhvillimi dhe prodhimi farmaceutik ka gjithnjë e më shumë gjasa të drejtohen drejt SHBA-së”.

Sipas saj, shpenzimet kapitale, paratë e investuara në fabrikat e prodhimit dhe kërkimi dhe zhvillimi ishin rreziqet kryesore. Të dhënat tregojnë se kompanitë farmaceutike në BE planifikojnë të investojnë 164.8 miliardë euro në periudhën 2025-2029.

"Gjatë tre muajve të ardhshëm, kompanitë që u përgjigjën vlerësojnë se një total prej 16.5 miliardë eurosh, pra 10% e planeve totale të investimit, është në rrezik", njoftoi Federata. Në dokument thuhet se SHBA po bëhet një vend favorit për investime dhe tarifat e përshpejtojnë këtë, duke vënë në rrezik qindra mijëra vende pune.

"SHBA udhëheq Evropën në çdo metrikë të investitorëve, nga disponueshmëria e kapitalit, pronësia intelektuale, shpejtësia e miratimit deri te shpërblimet për inovacionin. Tani me shtimin e tarifave, ka pak nxitje për të investuar në BE dhe nxitës të rëndësishëm për t'u zhvendosur në SHBA," shpjegon dokumenti.

Federata i paraqiti von der Leyen një plan me pesë pika, duke përfshirë forcimin e nxitjeve për të vendosur pronën intelektuale në Evropë dhe miratimin e një sërë rregullash në mbarë botën për ta bërë më tërheqëse vendosjen e inovacionit, kërkimit dhe zhvillimit në kontinentin e vjetër.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat