Europa Postuar më 19 Nëntor 2025, 10:20

Firmat evropiane, “optimiste” për 2026 - Bizneset raportojnë më pak pasiguri pas marrëveshjeve tregtare

Nga Kristi Ceta

Firmat evropiane, “optimiste” për 2026 - Bizneset

Kompanitë evropiane po i lënë pas pasiguritë që dominuan pjesën më të madhe të vitit 2025 dhe po e drejtojnë vëmendjen drejt vitit 2026, që duket shumë më premtues.

Sipas një analize të Bloomberg, kompanitë kanë folur shumë më pak për “pasiguri” gjatë telefonatave të fitimeve në tremujorin e tretë, krahasuar me mesataren e pesë viteve të fundit.

Në përgjithësi, firmat sfiduan pritshmëritë pesimiste për tremujorin e tretë, duke përballuar tarifat dhe luhatjet valutore e duke raportuar marzhe më të forta se parashikimet. Një rol të rëndësishëm luajtën edhe politikat tregtare më të qarta, që i ndihmuan bizneset të kishin më shumë besim në kostot dhe parashikimet e fitimeve.

“Situata e përgjithshme është bërë më pozitive, me diskutime rreth zinxhirëve të furnizimit, inflacionit dhe rimëkëmbjes që janë gjithnjë e më optimiste,” shpjegojnë analistët.

Gjatë verës, SHBA dhe Bashkimi Evropian arritën një marrëveshje tregtare për një tarifë 15%, ndërsa disa kompani negociuan marrëveshje të veçanta me administratën amerikane. Zvicra, ekonomia e zhvilluar më e goditur nga tarifat, gjithashtu arriti një marrëveshje paraprake me Donald Trump për uljen e detyrimit nga 39% në 15%.

Megjithatë, disa sektorë ende po vuajnë nga tensionet tregtare. Përfaqësues të Hexpol AB, prodhues komponentësh gome dhe plastike për industrinë automobilistike dhe të ndërtimit, theksuan se “pasiguria e lartë vazhdon, e nxitur nga tarifat amerikane dhe politika tregtare e SHBA-së. Kjo po na ndikon indirekt, duke dëmtuar klientët në Amerikën e Veriut dhe duke frenuar kërkesën,” u shprehën ata.

Tani presioni është më i përqendruar në disa sektorë, gjë që ka rritur besimin për rimëkëmbje vitin e ardhshëm. Kjo situatë ka sjellë edhe rritje të vlerësimeve për vitin 2026.

Edhe pse disa sektorë, si automjetet dhe kimikatet, vazhdojnë të jenë nën presion, “qëndrueshmëria e marzheve në industri ciklike dhe mbrojtëse krijon një bazë më të fortë fitimesh për 2026,” shpjegojnë analistët.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat