Europa Postuar më 11 September 2026, 09:59

Evropa po braktis pronësinë - Qiratë kthehen në zgjedhjen e miliona banorëve

Nga Edel Strazimiri

Evropa po braktis pronësinë - Qiratë kthehen në zgjedhjen e

Pronësia mbi një banesë po bëhet gjithnjë e më e vështirë për një pjesë të madhe të europianëve, duke e kthyer qiranë nga një zgjidhje të përkohshme në një realitet afatgjatë për shumë familje. Një studim i ri, i cili analizon të dhënat e tregut të banesave në 39 vende të OECD-së, tregon se vendet e Evropës Perëndimore dhe Veriore kryesojnë për numrin e qiramarrësve.

Zvicra ka përqindjen më të lartë të qiramarrësve në botë, me 61.2% të popullsisë që jeton me qira. Pas saj renditet Gjermania, ku 55.4% e popullsisë nuk zotëron banesën ku jeton. Ndërkohë, Danimarka renditet e para në indeksin global të qiramarrjes, me një rezultat prej 67.2 pikësh nga 100. Në këtë vend, 47.5% e popullsisë jeton me qira, ndërsa 52.2% është pronare e banesës.

Presioni financiar është i lartë edhe në vendet nordike. Finlanda dhe Suedia kanë rreth 38% të popullsisë në banesa me qira, ndërsa familjet përballen me kosto të larta të qirave dhe probleme me hapësirën e banimit. Në Evropën Jugore, Portugalia ka një tjetër realitet. Rreth 72.1% e banesave janë në pronësi, por çmimet e pronave janë rritur shumë më shpejt se pagat. Që nga viti 2015, çmimet janë rritur 48.8% më shumë se të ardhurat lokale.

Në Evropën Qendrore dhe Lindore, situata është e kundërt. Rumania dhe Sllovakia kanë norma pronësie mbi 92%, përkatësisht 92.8% dhe 93.5%. Megjithatë, norma e lartë e pronësisë shpesh shoqërohet me mbipopullim të banesave dhe bashkëjetesë të disa brezave nën të njëjtën çati.

Studimi vëren se pronësia e lartë nuk nënkupton domosdoshmërish kushte më të mira jetese. Në disa vende të Evropës Lindore, familjet zotërojnë banesat e tyre, por përballen me mungesë hapësire dhe me kosto të tjera ekonomike. Ndërkohë, vendet ku qiraja është më e përhapur ofrojnë në disa raste hapësira më të mëdha banimi dhe më shumë fleksibilitet për familjet.

Tendenca nuk kufizohet vetëm në Evropë. Në SHBA, Kanada, Australi dhe Zelandën e Re, qiramarrësit përbëjnë rreth 30–40% të popullsisë, ndërsa çmimet e larta të banesave, kreditë hipotekore dhe parapagimet e mëdha po e shtyjnë pronësinë gjithnjë e më larg për brezat e rinj.

Në këtë panoramë, qiraja po shndërrohet gradualisht nga një fazë kalimtare në një mënyrë jetese afatgjatë, veçanërisht për të rinjtë dhe familjet që nuk arrijnë të përballojnë blerjen e një banese.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat