Europa Postuar më 5 Shtator 2025, 10:48

“Evropa, në prag të krizës energjetike” - Goldman Sachs: Rreziku vjen nga rritja e kërkesës, mungesa e investimeve

Nga Kristi Ceta

“Evropa, në prag të krizës energjetike” - Goldman

Evropa rrezikon të përballet me një krizë të re të energjisë elektrike nëse nuk investohen afërsisht 3 trilionë euro gjatë dekadës së ardhshme. Ky është mesazhi kryesor i Goldman Sachs, që në një analizë të fundit identifikon tre rreziqe kryesore: rritjen e kërkesës, mungesën e investimeve në rrjetet e energjisë, si dhe kompleksitetin që shtojnë burimet e rinovueshme në përzierjen energjetike.

Kërkesa për energji elektrike, pas 15 vjetësh rënie, pritet të rritet me 1.5%-2% në vit deri në vitin 2030, duke u nxitur nga elektromobiliteti, pompat e ngrohjes, qendrat e të dhënave dhe nevojat për kondicionerë. Pas vitit 2030, norma e rritjes mund të arrijë në 2.5%-3.5%. Ndërkohë, infrastruktura elektrike e Evropës është më e vjetra në botë, me një mesatare prej 45-50 vjetësh. Për përmirësimin dhe modernizimin e rrjeteve të transmetimit dhe shpërndarjes kërkohen deri në 1.4 trilionë euro.

Në prodhim, situata është edhe më komplekse. Deri në vitin 2030, 75% e kapacitetit të instaluar do të vijë nga burimet e rinovueshme. Kjo rrit paqëndrueshmërinë dhe ul sigurinë e furnizimit nëse nuk zhvillohen në kohë njësitë rezervë si stacionet e gazit natyror, ruajtja e energjisë dhe lidhjet më të mira ndërmjet rrjeteve. Vlerësohet se për infrastrukturën e re të prodhimit dhe teknologjitë mbështetëse do të duhen edhe 1-1.4 trilionë euro shtesë.

Nëse këto investime nuk realizohen, rezervat mund të shterojnë në periudhën 2029-2030, duke rritur rrezikun e ndërprerjeve të mëdha të energjisë. Një shembull ilustrues është ndërprerja e energjisë në Spanjë në muajin prill, që sipas Goldman Sachs ishte e lidhur me paqëndrueshmërinë në rrjetin e transmetimit dhe praninë e tepërt të energjisë së rinovueshme. Pesë minuta para ndërprerjes, 80% e energjisë vinte nga energjia diellore.

Raporti ofron edhe një perspektivë më pozitive: ata që investojnë herët në sektor do të jenë fituesit. Goldman Sachs parashikon një “epokë të artë” për kompani si Enel, Iberdrola, National Grid etj., me rritje vjetore të fitimeve për aksion prej 9% deri në vitin 2030, madje 11% në një skenar të mungesës së theksuar.

Si përfundim, pa investime masive në rrjete, ruajtje energjie dhe forma të reja prodhimi, tranzicioni i Evropës rrezikon të shndërrohet në një krizë energjetike.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat