Europa Postuar më 30 Korrik 2026, 10:00

Europa, përballë rreziku të zjarreve javën e ardhshme/ BE: Kërcënimi po zhvendoset drejt lindjes, në rrezik Italia dhe Greqia

Nga Lidion Kulla

Europa, përballë rreziku të zjarreve javën e ardhshme/ BE:

Greqia, Italia dhe Europa Qendrore pritet të përballen me rrezik të shtuar të zjarreve në javët e ardhshme, duke kërcënuar me përkeqësimin e situatës. Aktualisht, flakët vazhdojnë të djegin siperfaqe të konsiderueshme në Spanjë dhe Francë, tha kreu i qendrës së reagimit emergjent të Bashkimit Europian. Maria Zuber, drejtuese e Qendrës së Koordinimit të Reagimit Emergjent të BE-së, tha se vala e vazhdueshme e të nxehtit nënkupton se ditët në vijim do të ishin “shumë të vështira” në Francë, por edhe vendet e tjera duhet të përgatiten për fatkeqësi të mundshme.

“Rreziku tashmë po zhvendoset në Greqi dhe gjithashtu në Europën Qendrore”, tha Zuber përpara gazetarëve. “Greqia u kursye gjatë valës së parë të të nxehtit, por tashmë rreziku është prezent. Edhe Italia do të përballet me rrezik të lartë në fillim të gushtit, ndërsa do të duhet të presim se çfarë do të ndodhë me Gadishullin Iberik”, tha ajo.

Ky parashikim pasqyron kushtet e motit që ndihmojnë zjarret të ndizen dhe përhapen me shpejtësi, siç janë temperaturat e larta, ajri i thatë, era dhe mungesa e shiut. Ndryshimet klimatike po intensifikojnë kushtet e nxehta dhe të thata të motit, që ndihmojnë zjarret të përhapen më shpejt dhe të qendrojnë më gjatë.

Vitin e kaluar, Europa përjetoi sezonin më të rëndë të zjarreve të regjistruar ndonjëherë, me më shumë se 1 milion hektarë tokë të përfshirë nga flakët. Zuber tha se situata e zjarreve në Europë këtë vit, deri më tani, është e ngjashme me atë të vitit 2025.

Qendra e BE-së koordinon zhvendosjen e avionëve dhe zjarrfikësve në vendet që kërkojnë mbështetje emergjente, duke u mbështetur në burimet e mbledhura nga vendet europiane dhe të marra me qira nga BE-ja. Qendra ka dërguar shtatë aeroplanë dhe katër helikopterë në Francë, dhe gjashtë aeroplanë dhe tre ekipe tokësore për shuarjen e zjarreve në pyjet e Spanjës.

Jo të gjithë avionët e flotës së BE-së janë aktualisht të angazhuar dhe disa janë në gatishmëri në Europën Lindore dhe Qendrore, ndërsa rreziku në këtë pjesë të kontinentit rritet, tha Zuber.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat