Europa Postuar më 30 Korrik 2026, 09:24

Europa Jugore e përfshirë nga flakët/ Situatë kritike në Greqi dhe Turqi. Vijon lufta me zjarret në Spanje dhe Francë

Nga Dorian Koça

Europa Jugore e përfshirë nga flakët/ Situatë kritike

Ndërsa ekipet e emergjencës në Francë dhe Spanjë vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarret pyjore, janë regjistruar shpërthime të reja zjarresh në Turqi dhe Greqi. Në provincën jugore turke të Antalias, zjarrfikësit po luftojnë që prej së martës me disa vatra zjarri në një rajon turistik. Disa shtëpi u shkrumbuan nga zjarri.

Guvernatori i Antalias, deklaroi se shkaktarët e zjarreve janë temperaturat ekstreme, erërat e forta dhe ajri i thatë. Ai tha se pret që këto kushte të motit të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim. Rreth 3.000 efektivë të emergjencave dhe zjarrfikësve janë angazhuar në luftën kundër flakëve.

Edhe në zonat bregdetare të Greqisë dhe në disa ishuj kanë shpërthyer zjarre të reja të mëdha. Si pasojë, mijëra turistë dhe banorë u detyruan të largoheshin. Gjatë një operacioni për shuarjen e një zjarri pyjor në Kretë, dy zjarrfikës humbën jetën. Fronti i zjarrit në Kretë thuhet se shtrihet në një gjatësi prej rreth 15 kilometrash.

Gjithashtu, ka raportime për zjarre edhe në ishujt Paros dhe Lesbos, ndërsa erërat me shpejtësi deri në 74 kilometra në orë po e rëndojnë më tej situatën. Ministria greke për Mbrojtjen Civile dhe Menaxhimin e Fatkeqësive shpalli për të enjten nivelin pothuajse më të lartë të alarmit për rrezikun nga zjarret në disa rajone të vendit, përfshirë Kretën, zonën metropolitane të Athinës, lindjen e Peloponezit dhe shumicën e ishujve të Egjeut.

Ndërkohë, përpjekjet për shuarjen e zjarreve vazhdojnë në Francë dhe Spanjë. Në disa rajone të Francës janë regjistruar sërish vatra të reja zjarri. Në departamentin Var, në jug të Francës, ku më parë kishin shpërthyer zjarre të mëdha, një zjarr i ri u përhap në zonën e qytetit të vogël Brignoles, njoftuan autoritetet lokale të mërkurën në mbrëmje. Rreth 100 hektarë sipërfaqe u përfshinë nga flakët, ndërsa më shumë se 600 persona u evakuuan. Shpresë ka në Bordeaux, ku shpërthyen zjarret më të mëdha të sezonit, 42.000 hektarë. Ekipi i zjarrifikësve ia ka dalë të ndalojë përhapjen e mëtejshme të zjarreve.

Edhe në Spanjë, e cila po përballet me zjarre të shumta pyjore, shpërtheu një zjarr i madh në një park kombëtar pranë kufirit me Portugalinë. Për shkak të rrezikut të lartë për banorët, dymbëdhjetë fshatra dhe qyteza përreth komunës Fermoselle u evakuuan, njoftoi qeveria rajonale e Kastiljes dhe Leonit. Për dy vendbanime të tjera u vendosën kufizime të lëvizjes. Sipas raportimeve të mediave, rreth 950 persona u zhvendosën në zona të sigurta në rajonin e prekur në veriperëndim të Spanjës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat