Europa Postuar më 11 Gusht 2025, 10:11

Efekti i "Ishullit të Nxehtësisë" - A do të bëhen qytetet evropiane të pabanueshme?

Nga Kristi Ceta

Efekti i "Ishullit të Nxehtësisë" - A do të

Vera e vitit 2025 është shënuar sërish nga disa valë të njëpasnjëshme nxehtësie, të cilat kanë përfshirë pjesë të mëdha të Evropës. Askund efektet e këtij moti ekstrem nuk ndihen më fort sesa në zonat urbane të kontinentit. Kjo ndodh për shkak të fenomenit të Ishullit të Nxehtësisë Urbane (UHI), që rrit ndjeshëm temperaturat krahasuar me zonat rurale përreth, duke e intensifikuar ndikimin e valëve të të nxehtit.

Temperaturat sipërfaqësore në qytete ishin deri në 10-15°C më të larta sesa në zonat rurale përreth gjatë verës, sipas të dhënave të Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian.

Këto të dhëna janë veçanërisht shqetësuese, duke pasur parasysh numrin e madh të njerëzve të prekur. Pothuajse 40% e popullsisë totale të Evropës jeton në qytete, ndërsa pak më pak se 70% në zona urbane.

Ky fenomen është një shqetësim madhor për shëndetin në mbarë Evropën. Një studim nga Shkolla Kombëtare e Shëndetit Publik NOVA në Portugali gjeti se shtrimet në spitale u rritën me 18.9% nga nivelet bazë gjatë ditëve me valë nxehtësie, duke vënë në vështirësi sistemet shëndetësore.

Efekti i ishullit të nxehtësisë ndodh kryesisht natën, kur njerëzit nuk freskohen siç duhet gjatë gjumit, gjë që ndikon negativisht në shëndet. Ky fenomen shkaktohet nga disa faktorë, që variojnë nga përdorimi i gjerë i materialeve ndërtimore, përqendrimi i ndërtesave dhe trafiku i rënduar. Si rezultat, gjatë ditës temperatura maksimale në qytete është më e lartë, por edhe nata nuk sjell ulje të ndjeshme të gradëve.

Ndërtesat e larta dhe rrugicat e ngushta e përkeqësojnë këtë efekt, pasi ngrohin ajrin që mbetet mes tyre, duke bllokuar qarkullimin natyror të erës që do të ndihmonte në freskimin e ajrit.

Në shumë qytete, kjo është veçanërisht e vërtetë në zonat më të varfra urbane, të karakterizuara nga urbanizim i dendur dhe i parregullt. Ky faktor, në kombinim me kushtet e dobëta të banimit, mungesën e izolimit dhe aksesin e kufizuar në hapësira të gjelbra ose mënyra të tjera për t’u freskuar, e bën efektin e ishullit të nxehtësisë një çështje socio-ekonomike.

Megjithatë, qytetet mund të marrin një sërë masash për të zbutur efektin e ishullit të nxehtësisë urbane. Këto përfshijnë krijimin e korridoreve të erës për ventilim, ndërtimin e çative dhe fasadave të gjelbra, mbjelljen e më shumë vegjetacioni dhe përdorimin më të mirë të ujit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat