Europa Postuar më 22 Nëntor 2024, 15:10

Edhe Vatikani, në krizë për pensionet! - Sipas Papa Françeskut, fondi shtetëror mund të kërkojë ndryshime strukturore

Nga Edel Strazimiri

Edhe Vatikani, në krizë për pensionet! - Sipas Papa

Papa Françesku ka bërë me dije së fundmi se fondi i pensioneve i Vatikanit po përballet me një "zhbalancim serioz" që mund të kërkojë ndryshime në strukturën e tij operative dhe emëroi një kardinal të lartë për të marrë përsipër administrimin e fondit.

Në një letër të pazakontë dërguar të gjithë kardinalëve të botës dhe drejtuesve të zyrave të ndryshme të Vatikanit, Papa nuk e përcaktoi qëllimin e çështjes.

Ai tha se ndryshimet do të përfshijnë "marrjen e vendimeve të vështira që do të kërkojnë ndjeshmëri të veçantë, bujari dhe gatishmëri për të sakrifikuar nga ana e të gjithëve".

Papa ka shprehur shqetësim të pazakontë për buxhetin e Vatikanit disa herë gjatë muajve të fundit. Në tetor, ai urdhëroi uljen e tretë në tre vjet për paketat e pagave të kardinalëve që drejtojnë Vatikanin. Ai gjithashtu u ka kërkuar atyre që të ndjekin një axhendë të “deficitit zero”.

Vatikani nuk ka publikuar të dhënat e buxhetit prej disa vitesh, por dihet se po përballet me një deficit të rëndë buxhetor.

Vatikani vlerësoi në vitin 2022 se detyrimi neto i fondit të pensioneve për përfitimet e pas-punësimit arriti në rreth 631 milionë euro (664 milionë dollarë).

Selia e Kishës Katolike përbëhet nga dy entitete: entiteti sovran i njohur ndërkombëtarisht i Selisë së Shenjtë dhe Vatikani, një qytet-shtet prej 108 hektarësh brenda Romës.

Ata mbajnë buxhete të veçanta dhe të ardhurat e qytetit të Vatikanit, përfshirë nga Muzetë e njohur të Vatikanit, janë përdorur shpesh për të plotësuar deficitin e Selisë së Shenjtë, i cili sipas mediave italiane ishte rreth 83 milionë euro (87 milionë dollarë) vitin e kaluar.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat