Europa Postuar më 20 Tetor 2025, 09:25

Dyfishohen kostot e motit ekstrem në Evropë - Dëmet mund të arrijnë në 126 miliardë euro deri në vitin 2029

Nga Kristi Ceta

Dyfishohen kostot e motit ekstrem në Evropë - Dëmet mund të

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se "nuk mund të përballojë uljen e ambicieve për klimën dhe qëndrueshmërinë", pasi ka zbuluar koston reale të dëmeve të shkaktuara nga moti ekstrem.

Një raport i ri nga Agjencia Evropiane e Mjedisit ka përllogaritur dëmet ekonomike mesatare vjetore të shkaktuara nga ngjarje të lidhura me klimën, si valët e të nxehtit, përmbytjet dhe thatësirat, gjatë periudhës nga viti 1980 deri në vitin 2023.

Sipas raportit, përkeqësimi i ndikimeve klimatike mund ta ulë Prodhimin e Brendshëm Bruto të BE-së me 7 për qind deri në fund të këtij shekulli, me humbje të parashikuara prej 2.4 trilionë eurosh në periudhën 2031–2050, nëse ngrohja globale tejkalon 1.5°C.

Nga të dhënat rezulton se kostoja mesatare vjetore e ekstremeve klimatike në BE ishte rreth 8.5 miliardë euro në vit gjatë viteve 1980–1989. Kjo u rrit në 14 miliardë euro nga 1990 deri në 1999, dhe arriti në 17.8 miliardë euro gjatë periudhës 2010–2019. Nga viti 2020 deri në vitin 2023, kjo kosto vjetore arriti një rekord prej 44.5 miliardë eurosh.

Kjo do të thotë se humbjet mesatare vjetore ekonomike në periudhën 2020–2023 ishin 2.5 herë më të larta se në dekadën paraardhëse (2010–2019).

Humbjet më të mëdha erdhën nga përmbytjet e vitit 2021 në Belgjikë, Gjermani dhe Holandë, që besohet se shkaktuan më shumë se 40 miliardë euro dëme. Ndërsa në vitin 2023, përmbytjet në Slloveni i kushtuan vendit 16 për qind të PBB-së kombëtare.

Studiuesit paralajmërojnë se kostoja e motit ekstrem në Evropë do të përkeqësohet edhe më shumë nëse nuk merren masa, duke arritur në 126 miliardë euro deri në vitin 2029.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat