Europa Postuar më 29 Korrik 2026, 10:53

“Buxheti i BE ka nevojë për shkurtime drastike”/ Merz: E papranueshme që institucionet të shtojnë 2,500 vende të reja pune

Nga Lidion Kulla

“Buxheti i BE ka nevojë për shkurtime drastike”/ Merz: E

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, shprehet se propozimi fillestar i Komisionit Europian për buxhetin e BE-së prej gati 2 trilionë eurosh, duhet të shkurtohet me qindra miliardë euro, ndërsa është e papranueshme që të shtoheshin 2,500 vende të reja pune në institucionet e BE-së.

Duke folur në një konferencë për mediat, me Kryeministrin irlandez Micheál Martin, Merz e quajti planin e Komisionit të papranueshëm dhe jo të balancuar. “Kjo është arsyeja pse na duhet një projektbuxhet me shkurtime në të gjitha nivelet, që arrijnë në disa qindra miliardë euro. Këto shkurtime janë thelbësore”, tha Merz.

Merz kritikoi gjithashtu një plan të Komisionit për të rritur numrin e stafit të BE-së, një veprim që Brukseli e quan të nevojshëm për t'u përballur me ngarkesën e shtuar të punës, të shkaktuar nga krizat aktuale gjeopolitike. “Është e papranueshme që të krijohen edhe 2,500 pozicione të reja për institucionet europiane. Ne nuk do ta pranojmë këtë”, tha kancelari, duke argumentuar se Gjermania po e zvogëlonte stafin e qeverisë me 8% deri në vitin 2029.

Nën presidencën e saj të Këshillit Europian, Irlanda do të duhet të paraqesë një propozim të ri për buxhetin, përpara samitit të liderëve të BE-së në tetor. Kryeministri i Irlandës, Martin do të duhet të përballet me presionin e Merz për shkurtime të shpenzimeve, ndërsa disa vende të tjera si Italia, Spanja dhe Polonia mbështesin një buxhet më të madh.

Në konferencën për mediat, lideri irlandez ishte i përmbajtur në përgjigje të kërkesave gjermane, duke thënë vetëm se do ta “dëgjonte me kujdes kancelarin se çfarë është e rëndësishme për të dhe për Gjermaninë”. Një çështje e ndjeshme për Irlandën është edhe identifikimi i taksave të reja në të gjithë bllokun për të financuar buxhetin, të njohura si burime vetjake, të cilat kërkojnë mbështetje unanime midis vendeve të BE-së.

Komisioni propozoi vitin e kaluar pesë burime të reja vetjake, duke përfshirë norma më të larta të duhanit dhe një taksë të diskutueshme mbi bizneset e BE-së, për të gjeneruar të ardhura të reja, në mënyrë që të mbulohen shpenzimet në rritje të mbrojtjes dhe konkurrencës. Por, Gjermania e ka kundërshtuar fuqimisht taksën mbi biznesin dhe ka hedhur poshtë sugjerimet se Komisioni mund të përjashtojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në mënyrë që të arrijë një marrëveshje.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat