Europa Postuar më 9 Gusht 2025, 10:50

Britania, zbritje faturash për të “heshtur” kritikët - Familjet që jetojnë pranë infrastrukturave të energjisë, deri në 2,500 paund ulje

Nga Kristi Ceta

Britania, zbritje faturash për të “heshtur” kritikët

Sipas një plani të ri të qeverisë britanike, familjet që jetojnë pranë shtyllave të reja të transmetimit të energjisë elektrike do të përfitojnë zbritje prej 125 paund çdo gjashtë muaj në faturat e tyre të energjisë, për një periudhë prej 10 vitesh. Shifra mund të arrijë gjithsej deri në 2,500 paund.

Shtyllat dhe kabllot e reja të transmetimit janë të nevojshme në të gjithë Britaninë për të modernizuar rrjetin ekzistues, për të lidhur fermat e reja të erës dhe diellit, centralet bërthamore dhe objektet e mëdha të ruajtjes së energjisë, si dhe për të përballuar rritjen e pritshme të pompave të nxehtësisë dhe karikuesve të makinave elektrike në shtëpi.

Qeveria thotë se deri në vitin 2030 do të nevojitet dy herë më shumë infrastrukturë e re transmetimi në raport me atë që është ndërtuar në dekadën e fundit. Megjithatë, ndërtimi i shtyllave të reja ka hasur në kundërshtime nga banorët dhe mbrojtësit e mjedisit, të shqetësuar për ndikimin vizual dhe ndërhyrjet në zonat natyrore.

Britania është zotuar të sigurojë energji të pastër deri në vitin 2030, si pjesë e përpjekjeve për të nxitur ekonominë, për të ulur emetimet e karbonit dhe për të reduktuar varësinë nga çmimet e paqëndrueshme të karburanteve fosile.

Kabineti qeveritar shpreson që përfitimet financiare për banorët lokalë do të ulin pakënaësitë dhe vonesat në planifikimin e infrastrukturës së nevojshme për tranzicionin drejt energjisë së pastër.

Sipas planit, familjet që jetojnë brenda një distance prej 500 metrash nga infrastruktura e re ose e përmirësuar e transmetimit mund të marrin zbritje vjetore deri në 250 paund për një periudhë 10-vjeçare në faturat e energjisë.

Ndërkohë, janë paraqitur edhe reforma për përmirësimin e funksionimit të matësve inteligjentë, duke përfshirë kërkesën që pajisjet që nuk funksionojnë si duhet, të riparohen brenda 90 ditëve, ose të kompensohet automatikisht konsumatori. Këto masa, sipas zyrtarëve, do t’u mundësojnë familjeve të kursejnë, duke menaxhuar më mirë konsumin e energjisë dhe duke përfituar nga tarifa fleksibël, si p.sh. çmime më të ulëta jashtë orarit të pikut ose energji falas kur ka tepricë në rrjet.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat