Europa Postuar më 27 Nëntor 2025, 10:20

Britania njofton rritje taksash - Vlera arrin në nivelin më të lartë të pasluftës. Synohet ulja e deficitit fiskal

Nga Kristi Ceta

Britania njofton rritje taksash - Vlera arrin në nivelin më të
Ministrja britanike e Financave, Rachel Reeves, njoftoi një buxhet me rritje të ndjeshme taksash, që do të marrë më shumë para nga punëtorët, ata që kursejnë për pensione dhe investitorët. Qeveria synon të krijojë më shumë hapësirë për të përmbushur objektivat e uljes së deficitit.

Parashikimet për rritjen ekonomike u ulën nga instituti zyrtar i financave (OBR), një goditje për kryeministrin Keir Starmer, i cili u kishte premtuar votuesve një ekonomi më të fortë një vit më parë. Megjithatë, instituti tha se tani qeveria ka më shumë se dyfishin e rezervës së mëparshme për të përmbushur objektivat fiskale, një faktor i rëndësishëm për investitorët që vlerësojnë rreziqet e borxhit në vend.

Zyra për Përgjegjësinë Buxhetore deklaroi se rritjet e taksave do të arrijnë në 26.1 miliardë paund në vit. Kjo do ta çojë raportin taksa/PBB në 38.3%, një nivel rekord që nga Lufta e Dytë Botërore, megjithëse ende më i ulët se mesatarja e eurozonës prej 41%.

Vitin e kaluar, Reeves kishte njoftuar rritje taksash prej 40 miliardë paundësh, më të lartat që nga vitet 1990, dhe kishte premtuar se nuk do të përsëriteshin. “Pa dyshim që do të përballemi sërish me kundërshtime. Por ende nuk kam parë një plan më të besueshëm apo më të drejtë për punëtorët,” tha ajo.

Heqja e kufirit të dy fëmijëve në pagesat e mirëqenies sociale për familjet e varfra kundërshtohet nga shumica e britanikëve, sipas sondazheve, por vendimi u duartrokit nga deputetët e Partisë Laburiste.

Instituti për Studime Fiskale (IFS) vuri në dukje se buxheti parashikon zgjerim të shpenzimeve në periudhën afatshkurtër, ndërsa pjesa më e madhe e rritjeve të taksave do të aplikohet më vonë.

Zyra për Përgjegjësinë Buxhetore uli parashikimin për rritjen ekonomike, që tani pritet të jetë mesatarisht 1.5% gjatë pesë viteve të ardhshme, 0.3 pikë përqindje më e ngadaltë se parashikimi i marsit. Ulja lidhet me produktivitetin më të dobët, që pasqyron pasojat e faktorëve si Brexit.

Reeves u zotua të provonte se organi mbikëqyrës e kishte gabim. “I kemi tejkaluar parashikimet këtë vit dhe do t’i tejkalojmë sërish,” tha ajo. Megjithatë, vlerësimi i institucionit tregon se standardet e jetesës në Britani do të rriten shumë pak në vitet e ardhshme, pjesërisht për shkak të taksave më të larta.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat