Europa Postuar më 28 Janar 2025, 13:30

Britania nis revolucionin në punë - Mbi 200 kompani e bëjnë javën e punës 4 ditore

Nga Kristi Ceta

Britania nis revolucionin në punë - Mbi 200 kompani e bëjnë

Rreth 200 kompani në Mbretërinë e Bashkuar kanë miratuar javën e punës katërditore për punonjësit e tyre. Ky model po fiton terren në shumë sektorë, duke ofruar më shumë kohë të lirë dhe mundësi për një jetë më të balancuar.

Mbi dyqind kompani në Mbretërinë e Bashkuar kanë vendosur për një javë pune të përhershme katërditore për të gjithë punonjësit e tyre, pa ulje page. Së bashku, kompanitë punësojnë më shumë se 5,000 njerëz, me shoqatat e bamirësive, firmat e marketingut dhe ato të teknologjisë ndër më të përfaqësuarat, sipas përditësimit të fundit nga Fondacioni 4 Day Ëeek.

Përkrahësit e javës katërditore thonë se modeli pesëditor është një mbetje nga një epokë e hershme ekonomike. Ata thonë se “java e punës pesëditore me orarin 9:00-17:00 u krijuar 100 vjet më parë dhe nuk është më e përshtatshme”. Sipas tyre, duhet bërë një përditësim.

Me “50% më shumë kohë të lirë, një javë katërditore u jep njerëzve lirinë për të jetuar jetë më të lumtur dhe më të përmbushur. Siç e kanë treguar tashmë qindra kompani britanike dhe një këshill lokal, një javë katërditore pa ulje page mund të jetë fitimprurëse si për punëtorët ashtu edhe për punëdhënësit,” shprehen analistët.

Firmat e marketingut, reklamave dhe marrëdhënieve me shtypin kryesuan nismën, me 30 prej tyre që miratuan vendimin. Kjo u pasua nga 29 organizata në industrinë e bamirësisë, OJQ-ve dhe kujdesit social, si dhe 24 në teknologji, IT dhe softuerë. 22 kompani të tjera në sektorin e biznesit, konsulencës dhe menaxhimit kishin ofruar gjithashtu javë katërditore të përhershme për stafin.

Sidoqoftë, kjo lëvizje sinjalizon një hendek në rritje në luftërat kulturore mbi modelet e punës, të cilat u përmbysën gjatë pandemisë Covid-19. Deri më tani, shumë punonjës kanë luftuar për të vazhduar punën nga shtëpia. Java e punës katërditore do të shtonte polemikat.

Hulumtimet nga Spark Market Research sugjerojnë se punëtorët e rinj kanë më shumë gjasa të kundërshtojnë modelet tradicionale. Rreth 78% e punonjësve të moshës 18-34-vjeç në Mbretërinë e Bashkuar besojnë se një javë pune katërditore do të bëhet norma në pesë vjet, ndërsa 65% thanë se nuk duan të shohin një kthim në punën e zyrës me kohë të plotë.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat