Europa Postuar më 5 Shtator 2025, 10:51

Britania mund të kursejë 5 mld paund në vit për energjinë - Heqja e impianteve me gaz nga tregu do të ulë faturat për familjet, bizneset

Nga Kristi Ceta

Britania mund të kursejë 5 mld paund në vit për

Qeveria britanike mund t'u kursejë përdoruesve të energjisë deri në 5 miliardë paund në vit duke reformuar tregun e energjisë elektrike. Sipas një ish-zyrtari të energjisë, kjo reformë do të pengonte që çmimi i energjisë me shumicë të përcaktohej nga termocentralet me gaz.

Britania mbështetet tek impiantet e gazit për rreth një të katërtën e energjisë elektrike vjetore, por ato luajnë një rol edhe më të madh gjatë periudhave me pak erë dhe pak gjenerim diellor.

Raporti kërkimor thekson se heqja e këtyre impianteve nga tregu mund të çojë në uljen e faturave të energjisë për familjet me 1.7 miliardë paund në vit deri në vitin 2028. Ndërsa kostot e energjisë për bizneset dhe industrinë mund të bien me 3.3 miliardë paund në vit. Sipas dokumentit, termocentralet me gaz duhet të mbahen si rezervë strategjike dhe të përdoren vetëm kur të nevojiten, pa ndikuar në mënyrë të vazhdueshme në çmimin e tregut.

“Heqja e gazit nga tregu i energjisë është një hap radikal, por këto janë kohë radikale. Qeveria ka shumë pak opsione për të ulur faturat, dhe asnjë prej tyre nuk ka përfitime aq të larta sa propozimi ynë,” shprehet një nga autorët e raportit dhe ish-zyrtar i lartë i sektorit të energjisë.

Mbretëria e Bashkuar është një nga vendet me çmimet më të larta të energjisë, krahasuar me ekonomitë e tjera të zhvilluara. Edhe pse po siguron gjithnjë e më shumë energji nga burimet e rinovueshme me kosto të ulët, prodhimi me anë të gazit vazhdon t’i mbajë çmimet e përgjithshme të larta.

Kjo ndodh sepse në tregun britanik, çmimi përcaktohet nga burimi më i shtrenjtë i prodhimit të energjisë që është në dispozicion, zakonisht termocentralet me gaz.

Në këtë sistem, çmimi i tregut përcaktohet nga gazi në 98% të rasteve, sipas një studimi akademik të botuar në vitin 2023. Kjo është përqindja më e lartë në Evropë dhe shumë mbi mesataren e BE-së, që është më pak se 40%.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat