Europa Postuar më 11 Qershor 2025, 12:02

Britania, mbi 14 mld paund për projektin bërthamor - Centrali pritet të furnizojë me energji rreth 6 mln shtëpi

Nga Kristi Ceta

Britania, mbi 14 mld paund për projektin bërthamor - Centrali pritet

Britania e Madhe do të investojë 14.2 miliardë paund për të ndërtuar centralin bërthamor Sizewell C në Anglinë juglindore.

Vendi po kërkon të ndërtojë centrale të reja për të zëvendësuar flotën e vjetër e për të rritur sigurinë energjetike. Një ndër synimet është gjithashtu arritja e objektivave klimatikë.

Centrali Sizewell C në Suffolk pritet të krijojë rreth 10,000 vende pune gjatë kulmit të ndërtimit dhe të prodhojë energji të mjaftueshme për të furnizuar me energji rreth 6 milionë shtëpi.

"Ne kemi nevojë për centrale të reja bërthamore për të sjellë një epokë të artë të energjisë së pastër. Kjo është e vetmja mënyrë për të mbrojtur financat familjare dhe për të trajtuar krizën klimatike", njoftuan burime nga ministria e energjisë.

Qeveria nuk ka thënë se sa pritet të kushtojë projekti në total dhe nuk ka dhënë një datë përfundimi.

Sizewell pritet të përdorë një model financimi me bazë të rregulluar të aseteve, ku kompanitë që ndërtojnë termocentrale të reja do të paguhen gjatë fazës së ndërtimit, duke ulur rrezikun e zhvillimit të tyre dhe duke u lejuar të sigurojnë financim më të lirë.

Kritikët e këtij modeli thonë se kjo do t'i bëjë taksapaguesit përgjegjës për çdo tejkalim të kostos dhe vonesë gjatë ndërtimit. Po ashtu, do të shtojë kosto në faturat e energjisë në një kohë kur shumë njerëz tashmë po përballen me vështirësi.

Ky do të ishte vetëm termocentrali i dytë i ri bërthamor i ndërtuar në Britani në më shumë se dy dekada, pas Hinkley Point C të ndërtuar nga kompania franceze EDF, që ka pasur disa vonesa dhe tejkalime shpenzimesh. Aktualisht, impianti pritet të fillojë operimin në vitin 2029, me një kosto të vlerësuar midis 31 dhe 34 miliardë paund me çmimet e vitit 2015.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat