Europa Postuar më 10 Qershor 2025, 12:26

Britania investon për sigurinë detare - Mbi 8 mld dollarë për të zgjeruar flotën e nëndetëseve

Nga Kristi Ceta

Britania investon për sigurinë detare - Mbi 8 mld dollarë

Britania do të investojë 8.13 miliardë dollarë për të zgjeruar kapacitetin e ndërtimit të nëndetëseve, duke mbështetur firma si grupi i mbrojtjes BAE Systems dhe kompania shumëkombëshe Rolls-Royce.

Duke iu përgjigjur këmbënguljes së Presidentit të SHBA-së Donald Trump që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj, Kryeministri Keir Starmer është zotuar për rritjen më të madhe të shpenzimeve ushtarake britanike që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Javën e kaluar, Londra tha se do të rriste numrin e nëndetëseve sulmuese me energji bërthamore në 12 të tilla, nga shtatë që janë aktualisht.

Investimet në sektorin bërthamor të mbrojtjes pritet të përfshijnë mbi 8 miliardë dollarë për të rritur "kapacitetin, aftësinë dhe produktivitetin e bazës industriale të nëndetëseve të Mbretërisë së Bashkuar", duke përfshirë BAE Systems dhe Rolls-Royce Submarines.

Investimi, që do të mbulojë periudhën katërvjeçare të rishikimit të shpenzimeve, do t'i ndihmojë kompanitë të arrijnë rritjen e shkallës së prodhimit të nëndetëseve, tha qeveria në një deklaratë.

Ministrja e financave Reeves do të njoftojë rezultatet e rishikimit të parë shumëvjeçar të shpenzimeve, duke përfshirë një investim prej katër miliardë paundësh gjatë dekadës së ardhshme në bazën detare të Plymouth.

Ministrja e financave do të njoftojë gjithashtu një investim për rindërtimin e një baze detare në Skoci dhe në Sheffield Forgemasters, një kompani çeliku që prodhon pjesë për nëndetëse.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat