Europa Postuar më 18 Mars 2025, 10:19

“Blini armë evropiane!” - Macron i bën thirrje BE-së të mos investojë në pajisjet amerikane

Nga Kristi Ceta

“Blini armë evropiane!” - Macron i bën thirrje BE-së

Presidenti francez Emmanuel Macron dëshiron të bindë vendet e BE-së që të ndalojnë blerjen e pajisjeve mbrojtëse të SHBA-së dhe të marrin armë franceze dhe evropiane.

Macron, i cili ka bërë thirrje prej vitesh për të drejtuar shpenzimet e mbrojtjes drejt produkteve të BE-së, tha se vendet e bllokut duhet të investojnë në opsionet lokale. “Qëllimi im është të shkoj dhe të bind shtetet evropiane që janë mësuar të blejnë produkte amerikane”, tha ai për mediat franceze.

"Atyre që blejnë Patriot duhet t'u ofrohet versioni franko-talian SAMP/T i gjeneratës së re. Ata që blejnë F-35, duhet të marrin Rafale. Kjo është mënyra për të rritur shkallën e prodhimit," theksoi Macron.

Komentet e tij vijnë ndërsa anëtarët evropianë të NATO-s janë bërë edhe më të varur nga armët e SHBA-së në krahasim me më parë.

Këtë muaj, Holanda dhe Belgjika konfirmuan se do të blinin avionë luftarakë F-35 amerikanë, ndërkohë që Portugalia po përpiqet të zëvendësojë avionët e saj luftarakë F-16 të prodhuara në SHBA me F-35 më moderne për shkak të "pozicionit të fundit të Shteteve të Bashkuara, në kontekstin e NATO-s".

Macron tha se ai u ka kërkuar kompanive franceze të mbrojtjes që të shkurtojnë burokracinë dhe të ulin kostot për t'u bërë një opsion më tërheqës.

Presidenti francez sqaroi gjithashtu se si mund të duket një dislokim i mundshëm i trupave evropiane për të ndihmuar Ukrainën. Qëllimi është që "të dislokohen disa mijëra burra për çdo shtet, në pika kyçe, për të kryer programe trajnimi" dhe "të tregojmë mbështetjen tonë në periudhën afatgjatë", shtoi ai.

Macron nënvizoi se kushtet e vendosura nga presidenti rus Vladimir Putin për një armëpushim në Ukrainë "janë të papranueshme".

Sipas presidentit francez, “kjo do të nënkuptonte një pushtim të pjesshëm të Ukrainës dhe një ngrirje të konfliktit, pa ofruar asnjë siguri apo garanci për të ardhmen”.

Macron njoftoi për "javët e ardhshme" një reformë të Shërbimit Kombëtar Universal, që është një shërbim vullnetar për njerëzit e moshës 15 deri në 17 vjeç. Ai përfshin aktivitete sportive, edukim qytetar dhe një qëndrim në një organizatë shtetërore ose joqeveritare, "për të përmbushur nevojat e kombit dhe prioritetet që kemi identifikuar".

Lideri francez, megjithatë, përjashtoi një rikthim të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Sondazh

Poll
Shqipëria 18 Mars Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo ditë për valutat kryesore?

Dollari amerikan edhe pse me një rënie të ;lehtë nga dje e ka nisur ditën pozitivisht në rritje duke u blerë këtë mëngjes me 90.8 lekë dhe duke u shitur me......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat