Europa Postuar më 19 Maj 2025, 09:50

Bisedime BE-SHBA në Romë - Palët diskutojnë mbi tregtinë, Ukrainën dhe mbrojtjen

Nga Kristi Ceta

Bisedime BE-SHBA në Romë - Palët diskutojnë mbi

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara mbajtën bisedime në Romë, ku temat kryesore ishin tregtia, mbrojtja dhe lufta në Ukrainë. Von der Leyen e quajti takimin një "fillim të ri", duke nënvizuar bashkëpunimin dhe investimet e reja të BE-së për ushtrinë.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni organizoi bisedime transatlantike trepalëshe në Romë, të cilat Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen i theksoi si një "fillim të ri" të mundshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare midis dy blloqeve.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance e quajti Evropën "një aleat të rëndësishëm", edhe pse, sipas tij, dy anët e Atlantikut "kanë disa mosmarrëveshje, siç ndodh ndonjëherë me miqtë, për çështje si tregtia".

Von der Leyen nënvizoi partneritetin e rëndësishëm tregtar midis dy palëve: "Në të vërtetë, ne kemi marrëdhënien më të madhe tregtare në botë, me më shumë se 1.5 trilion dollarë në vit".

Presidentja e Komisionit të BE-së shtoi: "Të gjithë e dinë se djalli fshihet në detaje, por ajo që na bashkon është se në fund duam, së bashku, të kemi një marrëveshje të mirë për të dyja palët".

Ajo gjithashtu e shfrytëzoi momentin për ta vendosur Ukrainën në tryezën e bisedimeve dhe për të falënderuar SHBA-në për angazhimin e saj drejt një paqeje të mundshme.

"Ajo që është e rëndësishme tani është sigurisht që ne të ecin përpara dhe mendoj se kjo javë do të jetë vendimtare për këtë," vuri në dukje von der Leyen.

Përtej Ukrainës, një tjetër çështje që u diskutua ishte mbrojtja. Von der Leyen pranoi se vendet anëtare të BE-së duhet të rrisin investimet në mbrojtje, duke thënë se Komisioni Evropian ka ndërmarrë hapa për ta lehtësuar këtë.

"Kjo është arsyeja pse ne kemi mundësuar përdorimin e deri në 800 miliardë eurove në katër vitet e ardhshme për investime në mbrojtje," tha von der Leyen.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat