Europa Postuar më 30 Maj 2025, 11:02

Besimi në BE, në nivelin më të lartë në 18 vjet - Por, rritet frika për pasigurinë ekonomike në Evropë

Nga Kristi Ceta

Besimi në BE, në nivelin më të lartë në 18 vjet -

Më shumë se gjysma e evropianëve, 52%, kanë tendencën t'i besojnë Komisionit Evropian dhe BE-së, rezultati më i lartë që nga viti 2007, sipas barometrit më të fundit të Eurostat. Por, anketa regjistroi gjithashtu frikë në rritje për perspektivën ekonomike në Evropë.

Anketa tregoi se 43% e qytetarëve të BE-së vazhdojnë të kenë një imazh pozitiv për Bashkimin Evropian, ndërsa 38% kanë një imazh neutral dhe 18% reflektojnë një mendim negativ për bllokun.

Anketat e Eurobarometrit kryhen rregullisht në bazë të hulumtimeve ballë për ballë në të gjitha shtetet anëtare, duke ofruar një këndvështrim të opinionit publik.

Pothuajse nëntë në dhjetë evropianë (88%) ranë dakord se duhet të ketë më shumë bashkëpunim të bazuar në rregulla midis vendeve dhe rajoneve të botës dhe 78% thanë se ishin të shqetësuar për mbrojtjen dhe sigurinë e BE-së në pesë vitet e ardhshme.

Për herë të parë që nga viti 2004, përqindja në favor të një politike të përbashkët mbrojtjeje dhe sigurie midis shteteve anëtare të bllokut arriti në katër të pestat apo 81%.

Megjithatë, kur bëhej fjalë për perceptimin e situatës ekonomike, 44% e evropianëve menduan se ishte mirë, ndërsa 48% thanë se ishte e keqe, duke u rritur me pesë pikë përqindjeje.

Sipas evropianëve, BE duhet të marrë masa afatmesme në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes (39%), ndjekur nga ekonomia (29%), migrimi (24%) dhe klima e mjedisi (24%). 74% në BE dhe 83% në zonën e euros u shprehën në favor të monedhës së vetme, euros, duke përfaqësuar mbështetjen më të lartë ndonjëherë.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia vazhdoi të konsiderohej si çështja më e rëndësishme në nivel të bllokut (27%), e ndjekur nga situata ndërkombëtare me 24%, si dhe siguria e mbrojtja me 20%. 77% e të anketuarve evropianë ranë dakord se pushtimi i Ukrainës nga Rusia është një kërcënim për sigurinë e BE-së.

Tre të katërtat e të anketuarve (75%), niveli më i lartë në më shumë se dy dekada, thanë se ndiheshin qytetarë të bllokut. Përveç kësaj, më shumë se gjashtë në dhjetë qytetarë të BE-së (62%) ishin gjithashtu optimistë për të ardhmen e Bashkimit Evropian.

Rreth 74% e të anketuarve thanë se vendi i tyre përfiton nga anëtarësimi në BE, rezultati më i mirë i regjistruar që kur pyetja u prezantua për herë të parë në vitin 1983.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat