Europa Postuar më 17 Dhjetor 2025, 09:53

BE “zbut” objektivin për makinat me djegie të brendshme - Propozon reduktimin e emetimeve me 90% nga viti 2035

Nga Kristi Ceta

BE “zbut” objektivin për makinat me djegie të brendshme -

Komisioni Evropian ka propozuar të zbusë ndalimin e planifikuar për makinat me motorë me djegie të brendshme nga viti 2035, duke lejuar që disa automjete joelektrike të vazhdojnë të shiten, pas presionit nga Gjermania, Italia dhe industria e automjeteve.

Ekzekutivi i BE-së duket se u është përgjigjur kërkesave të prodhuesve për të vazhduar shitjen e automjeteve hibrideve dhe atyre me karburant, në një kohë kur industria evropiane po has vështirësi për të konkurruar me Tesla-n dhe prodhuesit kinezë të makinave elektrike.

Komisioneri Evropian për Klimën, Neutralitetin Klimatik dhe Rritjen e Pastër, Wopke Hoekstra, iu drejtua Parlamentit Evropian duke u përpjekur të sigurojë ligjvënësit se blloku po i merr ende seriozisht angazhimet mjedisore.

“Jemi në mes të një tranzicioni të madh. Kina po konkurron në mënyrë agresive në teknologji kyçe, duke përfshirë automjetet elektrike dhe bateritë, ndërsa SHBA vazhdon të na lërë pas në produktivitet dhe inovacion në disa sektorë. Me një konkurrencë kaq të ashpër, Bashkimi Evropian duhet patjetër të përshpejtojë,” tha ai.

Rregullat aktuale të BE-së kërkojnë që të gjitha makinat dhe furgonët e rinj nga viti 2035 të kenë emetime zero. Sipas propozimit të ri, objektivi do të ndryshonte në një ulje prej 90% të emetimeve të CO₂ krahasuar me nivelet e vitit 2021, në vend të 100%.

Prodhuesit e automjeteve do të duhet të kompensojnë emetimet e mbetura përmes përdorimit të çelikut me karbon të ulët të prodhuar në BE dhe karburanteve sintetike ose biokarburanteve joushqimore, si mbetjet bujqësore dhe vaji i përdorur i gatimit.

Plani u jep gjithashtu prodhuesve të makinave një periudhë trevjeçare, nga 2030 deri në 2032, për të ulur emetimet e CO₂ të makinave me 55% krahasuar me vitin 2021, ndërsa objektivi për furgonët në vitin 2030 do të lehtësohej në 40% nga 50%.

Këto ndryshime, që kërkojnë miratimin e qeverive të BE-së dhe Parlamentit Evropian, reflektojnë tërheqjen më të madhe të bllokut nga politikat e tij të gjelbra të miratuara gjatë pesë viteve të fundit. Ndërkohë, industria e automjeteve elektrike paralajmëroi se lehtësimi i objektivave të emetimeve mund të dëmtojë investimet dhe ta lërë Evropën edhe më prapa Kinës në kalimin drejt transportit më të pastër.

Shqipëria 16 Dhjetor

Abissnet, pionieri i internetit në Shqipëri

Abissnet, kompania e parë e shërbimeve të internetit në Shqipëri, dëshmon mbi 27 vite histori dhe zhvillim që prej themelimit në vitin 1998. Me një rrugëtim......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat