Europa Postuar më 22 Mars 2025, 11:10

BE, “thikë pas shpine” Ukrainës? - Kërkon të ulë importet e sheqerit ukrainas për të mbrojtur fermerët vendas

Nga Kristi Ceta

BE, “thikë pas shpine” Ukrainës? - Kërkon të

Bashkimi Evropian kërkon të reduktojë ndjeshëm importet e sheqerit ukrainas, për të mbrojtur fermerët vendas. Megjithatë, Kievi ka theksuar rëndësinë e vazhdimësisë në furnizime dhe shpreson për një marrëveshje të drejtë bujqësore me bllokun.

Komisioni Evropian po kërkon të shkurtojë importet e sheqerit ukrainas, pasi prodhuesit e BE-së u ankuan se dërgesat e mëdha kanë nxitur një kolaps të çmimeve.

Importet e sheqerit nga Ukraina janë pjesë e një dileme të madhe me të cilën BE është përballur në tre vitet e fundit. Brukseli fillimisht ofroi akses të lirë në tregjet e tij bujqësore, për të ofruar mbështetjen e tij pas pushtimit të Rusisë, por protestat nga fermerët e BE-së e kanë detyruar të pakësojë mbështetjen.

Fermerët vendas kanë argumentuar se importet nga Ukraina kanë ulur furnizimet lokale, duke ulur çmimet dhe duke e bërë më të vështirë për ta sigurimin e shitjeve.

Burimet thanë se qëllimi për të ulur importet e sheqerit ishte ngritur nga komisioneri i bujqësisë i Unionit, kur ai u takua me drejtuesit e sindikatave franceze të fermave dhe përfaqësues të industrisë në në Paris.

Komisioni nuk tha saktësisht se sa importe mund të shkurtoheshin, por theksoi se ato do të ishin "shumë poshtë" niveleve aktuale, njoftuan burimet që ishin të pranishëm në takim.

Ministria e Bujqësisë në Ukrainë nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së vazhdimësisë në furnizimet me produkte ukrainase në BE. Burime zyrtare shprehën shpresat për një marrëveshje të drejtë bujqësore midis Unionit dhe Ukrainës. “BE e kupton se ne nuk mund të përplasim kokën pas murit dhe të kthehemi në kushtet e tregtisë që kishim 10 vjet më pare. Ukraina është fleksibël dhe është e gatshme të sigurojë transparencë në tregti. Kjo është më shumë një çështje politike sesa tregtare,” theksuan ata.

BE hoqi detyrimet për produktet bujqësore ukrainase pas nisjes së pushtimit të Rusisë në vitin 2022. Lëvizja çoi në një rritje të mprehtë të importeve më të lira të sheqerit ukrainas, të cilat arritën në 400,000 tonë në sezonin 2022/23 dhe mbi 500,000 tonë në 2023/24, duke tejkaluar ndjeshëm kuotën e paraluftës prej 20,000 tonësh.

Çmimet evropiane të sheqerit ranë më shumë se 30% vitin e kaluar. Megjithatë, kontratat e së ardhmes së sheqerit të bardhë u rikuperuan në dy muajt e fundit, mbështetur nga një perspektivë dobësuese në prodhuesit kryesorë, duke përfshirë Indinë.

Ankesat e fermerëve evropianë e shtynë BE-në në korrik të vitit të kaluar të rivendoste një kuotë importi prej 262,650 tonësh. Blloku ndaloi importet e sheqerit nga Ukraina pasi pjesa e parë e kuotës ishte plotësuar, duke e detyruar Ukrainën të ridrejtonte dërgesat e sheqerit në vende të tjera, me Turqinë si destinacion kryesor. Pjesa e dytë e kuotës, për 109,440 tonë sheqer ukrainas u hap në janar, por Ukraina ka eksportuar pak deri tani.

Prodhimi i sheqerit në BE ka lëvizur nga 14.5 në 17.6 milionë tonë në vit që nga 2018, treguan të dhënat e BE-së. Konsumi është i qëndrueshëm në rreth 14 milionë tonë ndërsa importet përbëjnë 2-3 milionë tonë.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat