Europa Postuar më 9 Maj 2025, 12:48

BE përgatit kundërmasa ndaj SHBA-së - 95 miliardë euro tarifa hakmarrëse për importet amerikane

Nga Kristi Ceta

BE përgatit kundërmasa ndaj SHBA-së - 95 miliardë euro

Komisioni Evropian propozoi kundërmasa me vlerë deri në 95 miliardë euro për importet amerikane, nëse negociatat me Uashingtonin dështojnë. Masat e reja, që përfaqësojnë përgjigjen e BE-së ndaj tarifave amerikane të importit, do të synojnë verën, peshkun, avionët, makinat, kimikatet, pajisjet elektrike, produktet shëndetësore dhe makineritë.

Komisioni Evropian tha se po niste një konsultim njëmujor për anëtarët e BE-së dhe bizneset për të reaguar. Më pas do të marrë një vendim përfundimtar mbi kundërtarifat, që kanë gjasa të godasin një vëllim më të vogël të importeve amerikane.

Bashkimi Evropian aktualisht përballet me tarifa importi prej 25% për çelikun, aluminin dhe makinat, si dhe të ashtuquajturat tarifa "reciproke" prej 10% për pothuajse të gjitha mallrat e tjera, një taksë që mund të rritet në 20% kur të skadojë pauza 90-ditore e Trump më 8 korrik.

Ekzekutivi i bllokut ka thënë vazhdimisht se do të preferonte një zgjidhje të negociuar ndaj tarifave, por dëshiron të ketë një përgjigje hakmarrëse gati për korrikun në rast se palët nuk arrijnë marrëveshje.

Në prill, BE miratoi tarifa kryesisht prej 25% për importet amerikane që arrijnë në 21 miliardë euro, duke përfshirë misrin, grurin, motoçikletat dhe veshjet. Këto u pezulluan para se të hynin në fuqi, pasi Trump njoftoi pauzën e tij 90-ditore. Komisioni ka thënë se tarifat e SHBA-së në fuqi tani mbulojnë 380 miliardë euro ose 70% të tregtisë së mallrave të BE-së me SHBA-në dhe kjo shifër mund të rritet në 97% pas hetimeve të mëtejshme të SHBA-së mbi produktet farmaceutike, gjysmëpërçuesit, mineralet kritike dhe kamionët.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance tha para disa ditësh se diskutimet midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës ishin duke vazhduar dhe se Uashingtoni po ushtronte presion mbi BE-në për të ulur tarifat dhe barrierat rregullatore.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat