Europa Postuar më 2 Shtator 2026, 09:55

BE kërkon rezultate konkrete nga Kina - Tetori, afati i fundit për të arritur marrëveshje tregtare. Në të kundërt, tarifa

Nga Lidion Kulla

BE kërkon rezultate konkrete nga Kina - Tetori, afati i fundit për

Pekini duhet të japë “rezultate konkrete” deri në tetor, ose do të përballet me “masa më të ashpra”, paralajmëroi Komisioneri i Tregtisë i Bashkimit Europian, Maroš Šefčovič, ndërsa Brukseli caktoi një afat deri në tetor për të frenuar suficitin rekord tregtar të Kinës me bllokun.

Me bisedimet që kanë filluar tashmë, Šefčovič deklaroi se rreziqet shkojnë përtej tregtisë, me të ardhmen e industrisë europiane në lojë. Dy javët e ardhshme do të jenë vendimtare, ndërsa planifikohet edhe një video-telefonatë mes shefit të tregtisë së BE-së dhe homologut të tij kinez, Wang Wentao, në mesi të shtatorit.

“Kjo është një çështje shumë politike”, deklaroi ai, duke shtuar se udhëheqësit europianë duan të shohin rezultate deri në tetor. Më herët këtë javë, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi në një forum biznesi në Francë se dialogu funksionon vetëm nëse sjell rezultate.

Ndërsa Šefčovič nuk dha detaje se si do të jenë masat ndërshkuese, ai sqaroi se Brukseli po kërkon të finalizojë një “instrument diversifikimi”, të hartuar duke pasur parasysh Kinën. Ai tha gjithashtu se BE-ja tani është shumë më e bashkuar në objektivat e saj për negociatat.

“Po përpiqem të arrij rezultate përmes negociatave, por Pekini duhet të na sjellë rezultate shumë konkrete. Përndryshe, sigurisht, do të ketë një lëvizje të fortë politike për të nxitur masa më të ashpra”, deklaroi ai. Šefčovič do të udhëtojë në Kinë në tetor, përpara një samiti të liderëve të BE-së që do të mbahet në Bruksel, ku çështja pritet të jetë në krye të axhendës. Të gjitha vendet e BE-së, aktualisht kanë një deficit tregtar me Kinën.

Brukseli dhe Pekini kanë qenë në prag të një lufte tregtare në muajt e fundit, pas aplikimit nga Komisioni Europian të disa masave që kufizojnë aksesin e kompanive kineze në tregun e BE-së dhe kërcënimeve për hakmarrje nga Kina. Pavarësisht diskutimeve delikate me Pekinin, Komisioni ka nisur tashmë disa hetime ndaj produkteve kineze, për praktika të dyshuara tregtare të padrejta. Von der Leyen tha se hetimet po intensifikoheshin “në mënyrë të konsiderueshme”.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat