Europa Postuar më 1 Shtator 2026, 11:12

BE-ja kërkon fundin e vetos në politikën e jashtme - 11 vende anëtare kërkojnë kalimin nga unanimiteti në shumicën e kualifikuar

Nga Edel Strazimiri

BE-ja kërkon fundin e vetos në politikën e jashtme - 11 vende

Një grup prej 11 vendesh të Bashkimit Europian po kërkon reformimin e mënyrës se si blloku merr vendime për politikën e jashtme, duke propozuar kufizimin e përdorimit të vetos nga një shtet i vetëm.

Austria, Danimarka, Belgjika, Finlanda, Franca, Gjermania, Luksemburgu, Holanda, Rumania, Spanja dhe Suedia i kanë dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ku argumentojnë se kultura e konsensusit nuk duhet të pengojë veprimin e përbashkët europian.

Sipas rregullave aktuale, vendimet kryesore në politikën e jashtme kërkojnë unanimitet. Kjo i jep mundësinë një shteti të vetëm të bllokojë një vendim të mbështetur nga 26 vendet e tjera.

Debati është rikthyer fuqishëm pas rasteve të përsëritura kur Hungaria, nën drejtimin e Viktor Orbán, përdori të drejtën e vetos për të bllokuar ose vonuar vendime të rëndësishme të BE-së.

Propozohet shumica e kualifikuar

Në letrën e përbashkët, 11 vendet propozojnë pesë parime për përmirësimin e politikës së jashtme të BE-së. Mes tyre janë rritja e përdorimit të abstenimit konstruktiv, shmangia e lidhjes së vendimeve të politikës së jashtme me çështje të tjera dhe shqyrtimi i mundësisë për të kaluar nga unanimiteti në votimin me shumicë të kualifikuar.

Një tjetër kërkesë është që një shtet që dëshiron të bllokojë një vendim të paraqesë "arsye jetësore të argumentuara".

Një nga mundësitë është përdorimi i të ashtuquajturës “klauzolë kalimtare”, e parashikuar në traktatet e BE-së, e cila do të mundësonte kalimin gradual nga unanimiteti në shumicën e kualifikuar, rast pas rasti.

Mbështetësit e reformës argumentojnë se ndryshimi do t’i mundësonte BE-së të reagojë më shpejt ndaj krizave ndërkombëtare dhe të përdorë më efektivisht peshën e tij politike, ekonomike dhe diplomatike.

Kundërshtarët, veçanërisht disa vende më të vogla, paralajmërojnë se heqja e vetos mund të dobësojë aftësinë e tyre për të mbrojtur interesat kombëtare dhe të cenojë legjitimitetin e vendimmarrjes.

Nisma pritet të jetë pjesë e një debati më të gjerë për të ardhmen e politikës së jashtme europiane, ndërsa Gjermania dhe Franca po kërkojnë gjithashtu një rol më të fuqishëm për Përfaqësuesen e Lartë të BE-së.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat