Europa Postuar më 4 Shtator 2026, 09:32

BE “godet” Airbnb, ja çfarë ndryshon! - Brukseli synon të lehtësojë krizën e strehimit në zonat më problematike

Nga Edel Strazimiri

BE “godet” Airbnb, ja çfarë ndryshon! - Brukseli synon

Komisioni Evropian pritet të propozojë rregulla të reja për strehimin, të cilat do t’u japin autoriteteve kombëtare dhe lokale më shumë hapësirë për të kufizuar qiratë afatshkurtra turistike dhe blerjen e pronave që nuk përdoren si banesa kryesore.

Nisma vjen në një kohë kur kriza e strehimit po thellohet në shumë qytete europiane. Sipas të dhënave të BE-së, çmimet e banesave u rritën me 64.9% gjatë periudhës 2015–2025, ndërsa qiratë u shtuan me 21.8%. Në shumë raste, kostot e strehimit po rriten dukshëm më shpejt se të ardhurat e banorëve.

Në vitin 2024, rreth 10% e banorëve të qyteteve të BE-së shpenzonin më shumë se 40% të të ardhurave të disponueshme për strehim. Qytete si Lisbona, Barcelona dhe Praga kanë përjetuar prej vitesh ankesa nga banorët, të cilët argumentojnë se platformat e qirave afatshkurtra kanë larguar banesat nga tregu tradicional dhe kanë ndikuar në rritjen e çmimeve.

Megjithëse qiratë afatshkurtra përbëjnë vetëm rreth 1.2% të stokut të banesave në BE, në disa destinacione turistike ato mund të arrijnë deri në 20%. Sipas qasjes së re të Komisionit, qytetet do të mund të ndërhyjnë sidomos ndaj operatorëve profesionistë që menaxhojnë disa prona për qëllime turistike. Ndërkohë, e drejta e individëve për të dhënë herë pas here me qira banesën e tyre kryesore pritet të mbrohet.

Kufizimet nuk do të zbatohen në mënyrë të përgjithshme, por vetëm në zonat ku ka prova të qarta për një presion serioz mbi tregun e strehimit. Brukseli vlerëson se kufizimi i qirave afatshkurtra nuk mjafton për zgjidhjen e krizës. Sipas vlerësimeve të Komisionit, nevojiten më shumë se 2 milionë banesa të reja çdo vit, veçanërisht në zonat ku kërkesa është më e lartë.

Kriza ka prekur edhe shtresën e mesme, ndërsa shumë familje nuk kanë mundësi të blejnë apo të përballojnë qiratë, por njëkohësisht nuk plotësojnë kriteret për strehim social. Sipas studimeve rreth 1.2–1.3 milionë persona përjetojnë çdo natë pastrehësi në Bashkimin Evropian, një situatë e lidhur kryesisht me krizën e strehimit dhe rritjen e kostos së jetesës.

Komisioni Evropian pritet të prezantojë planin e tij të ri për strehimin më 9 shtator, ku pritet të përcaktohen më qartë masat që mund të ndërmarrin qytetet dhe qeveritë për të përballuar krizën.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat