Europa Postuar më 20 Shkurt 2025, 14:10

“BE, gati të negociojë për tarifat e makinave” - Komisioneri i tregtisë hap rrugën për bisedime me Trump

Nga Kristi Ceta

“BE, gati të negociojë për tarifat e makinave” -

Bashkimi Evropian është i përgatitur të bisedojë me Shtetet e Bashkuara për uljen e tarifave prej 10 për qind për makinat, si pjesë e bisedimeve që synojnë shmangien e një lufte tregtare transatlantike. "Kjo do të ishte diçka që ne jemi gati për ta diskutuar," tha Komisioneri i Tregtisë i BE-së Maroš Šefčovič.

Šefčovic tha gjithashtu se Bashkimi Evropian është i përgatitur të marrë në konsideratë një marrëveshje shumë më të gjerë me Trump, që mund të përfshijë çështje rregullatore të teknologjisë dhe probleme jotregtare, të tilla si vendet anëtare të BE-së që rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen.

Presidenti Donald Trump ka thënë shpesh se tarifa prej 10 përqind e BE-së për makinat e pasagjerëve është shumë më e lartë se tarifa 2.5 përqind e vetë Shteteve të Bashkuara. Kjo është një nga arsyet që ai po kërcënon të vendosë “tarifa reciproke” ndaj bllokut. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka kërcënuar gjithashtu tarifa shtesë për disa sektorë të tillë si makinat, gjysmëpërçuesit dhe produktet farmaceutike që mund të godasin veçmas BE-në.

Šefčovic u përpoq të kundërshtonte ankesat e Trump, duke argumentuar se Unioni është një treg i hapur, me tarifa mesatare për mallrat industriale që janë pothuajse të njëjta me ato të Shteteve të Bashkuara. Ai gjithashtu vuri në dukje se ka tarifa "kulmore" në të dy anët e Atlantikut, duke përfshirë tarifën 25 për qind që Shtetet e Bashkuara vendosin për kamionët, të cilat ai sugjeroi se duhet të jenë pjesë e çdo negociate tarifore.

Ish-diplomati sllovak vuri në dukje gjithashtu se ndërsa Trump fokusohet në deficitin tregtar të mallrave të SHBA-së me BE-në, i cili arriti në 235.6 miliardë dollarë në vitin 2024, Shtetet e Bashkuara kanë një suficit tregtar në shërbime me bllokun. Kur kombinohen mallrat dhe shërbimet, deficiti tregtar i SHBA-së me BE-në është vetëm rreth 50 miliardë dollarë, që është e barabartë me rreth 3 përqind të 1.7 trilion dollarëve në tregtinë transatlantike vjetore.

Në të njëjtën kohë, Šefčovic u zotua të hakmerret nëse Trump i realizon kërcënimet e tij për të vendosur tarifa gjithëpërfshirëse. “Për të mbrojtur interesat evropiane, ne nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse të përgjigjemi me vendosmëri dhe rreptësi, por shpresojmë ta shmangim skenarin”, tha Šefcovič.

Gjithashtu, ai tha se Brukseli ishte i gatshëm të fliste për çështjet e teknologjisë me SHBA-në, por tregoi se Bashkimi Evropian do të mbronte rregulloret e tij, duke përfshirë masa të tilla si Akti i Shërbimeve Digjitale dhe Akti i Tregjeve Digjitale.

“Kompanitë e mëdha të teknologjisë nga SHBA kanë më shumë klientë në Evropë sesa në SHBA dhe nëse shikoni të ardhurat, 30 për qind deri në 50 përqind e të ardhurave gjenerohen në Bashkimin Evropian,” tha Šefčovič.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat