Europa Postuar më 3 Tetor 2025, 09:49

BE do të përgjysmojë kuotat e importeve të çelikut - Parashikohen tarifa 50% për sasitë mbi nivelin e lejuar

Nga Kristi Ceta

BE do të përgjysmojë kuotat e importeve të çelikut -

Komisioni Europian do të propozojë përgjysmimin e kuotave të importit të çelikut dhe rritjen e tarifave në 50% për sasitë që i kalojnë këto kuota, në përputhje me tarifat e vendosura nga SHBA dhe Kanadaja. Vendimet do të jenë pjesë e një pakete të re për këtë sektor, që pritet të publikohet më 7 tetor.

Aktualisht, importet e çelikut në BE janë të kufizuara përmes masave mbrojtëse, por këto do të skadojnë në mes të vitit 2026, në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT).

Grupet industriale të çelikut kanë kërkuar prej kohësh përgjysmimin e kuotave aktuale dhe një tarifë 50% për sasinë që i tejkalon ato, nga 25% që është aktualisht. Ata thonë se kuotat aktualisht janë 26% mbi nivelin fillestar, ndërkohë që kërkesa ka rënë.

Kjo normë e re tarifore do ta vendoste BE-në në një linjë me Kanadanë dhe SHBA-në, ndonëse në rastin e SHBA-së tarifat zbatohen që nga toni i parë i importuar.

Blloku dhe aleatët perëndimorë po përpiqen të përmbajnë kapacitetin e tepërt global të prodhimit të çelikut. Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, kapaciteti do të arrijë në 721 milionë tonë deri në vitin 2027, kryesisht për shkak të subvencioneve në fabrikat kineze.

BE po heton gjithashtu zhvillimet në tregun e aluminit për masa të mundshme mbrojtëse, si dhe për vendosjen e tarifave mbi eksportin e skrapit metalik.

Sistemi i ri i kufizimeve të importit të çelikut mund të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje me SHBA-në për të zëvendësuar tarifat amerikane 50% me një sistem kuotash, siç është parashikuar në paktin e korrikut mes palëve.

Bashkimi Evropian ka deklaruar se do të punojë ngushtë me Uashingtonin në një "aleancë metalesh" për të mbrojtur prodhimin e tyre nga konkurrenca e subvencionuar kineze.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat