Europa Postuar më 20 Gusht 2025, 10:46

BE detyron Google të ndryshojë kushtet - Kompania lehtëson qasjen e zhvilluesve në tregje alternative

Nga Kristi Ceta

BE detyron Google të ndryshojë kushtet - Kompania lehtëson qasjen

Alphabet njoftoi se do t’ua bëjë më të lehtë zhvilluesve të aplikacioneve që t’i drejtojnë klientët drejt kanaleve të tjera jashtë Google. Kjo lëvizje vjen pas akuzave nga organi i konkurrencës së Bashkimit Evropian për shkelje të rregullave të BE-së.

Në mars, Google u godit me dy akuza për shkelje të Aktit të Tregjeve Digjitale, një ligj kyç i BE-së që synon të kufizojë fuqinë e kompanive të mëdha teknologjike.

Që nga fillimi i vitit 2024, kompania ka qenë nën shënjestrën e Komisionit Evropian, pasi dyshohet se kufizon zhvilluesit e aplikacioneve që të informojnë përdoruesit për oferta jashtë dyqanit të aplikacioneve Google Play. Gjithashtu, gjiganti teknologjik akuzohet se favorizon shërbimet e veta të kërkimit si Google Flights.

Rregullatorët thonë se Alphabet teknikisht pengon zhvilluesit që të drejtojnë lirshëm konsumatorët drejt kanaleve të tjera për oferta më të mira. Ata gjithashtu theksuan se tarifa e shërbimit që kompania kërkon për lehtësimin e marrjes së klientëve të rinj nga zhvilluesit përmes Google Play është më e lartë se norma.

Në një postim në blog, Google tha se pas diskutimeve me Komisionin Evropian, zhvilluesit dhe ekspertë të tjerë, po përditëson disa nga kushtet.

“Edhe pse kemi ende shqetësime se këto ndryshime mund të ekspozojnë përdoruesit e Android ndaj përmbajtjeve të dëmshme dhe të përkeqësojnë përvojën me aplikacionet, po përditësojmë Programin tonë të Ofertave të Jashtme për BE-në me tarifa të rishikuara dhe më shumë opsione për zhvilluesit e Android, pas diskutimeve me Komisionin Evropian,” thanë burimet zyrtare në një deklaratë.

Kompania, që është ndëshkuar me gjoba mbi 8 miliardë euro nga BE për shkelje të ndryshme të ligjit të konkurrencës, rrezikon ndëshkime deri në 10% të të ardhurave vjetore globale nëse rezulton fajtore për shkelje të Aktit të Tregjeve Digjitale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat