Europa Postuar më 1 Nëntor 2025, 12:13

BE-Britani, në prag të marrëveshjes për mbrojtjen/ Palët synojnë të bien dakord për programin ushtarak gjatë nëntorit

Nga Kristi Ceta

BE-Britani, në prag të marrëveshjes për mbrojtjen/

Komisioni Evropian shprehu besimin se një marrëveshje që lejon Mbretërinë e Bashkuar të marrë pjesë në programin kryesor të mbrojtjes së BE-së do të përfundojë brenda dy javëve të ardhshme.

Brukseli dhe Londra kanë qenë në bisedime që në muajt e verës për të lejuar pjesëmarrjen e Britanisë në programin SAFE, i cili synon të forcojë blerjet e përbashkëta të armatimeve të prodhuara në Evropë.

Shtetet anëtare të BE-së kanë afat deri në fund të nëntorit për të dorëzuar planet kombëtare, duke treguar se si do të shfrytëzojnë pjesët e tyre nën skemën e kredive prej 150 miliardë eurosh.

“Shpresa jonë është të arrijmë marrëveshje para përfundimit të nëntorit. Jemi të angazhuar në bisedime të thella dhe shumë efikase. Po ecim me një ritëm shumë të shpejtë dhe synojmë të mbyllim partneritetin rreth mesit të muajit” tha një zyrtar i bllokut.

Programi SAFE përfshin një preferencë evropiane, sipas së cilës të paktën dy të tretat e çdo blerjeje të financuar nga kjo skemë duhet të prodhohen brenda BE-së. Si një vend i tretë, kontributi i Mbretërisë së Bashkuar është aktualisht i kufizuar deri në 35%. Por nëse arrihet marrëveshja, Britania do të trajtohet si një shtet anëtar i BE-së pa kufizime. Ky përjashtim vlen tashmë për Norvegjinë, Ukrainën dhe Islandën.

Qeveria britanike gjithashtu do të mund të marrë pjesë në blerje të përbashkëta me vende të tjera evropiane, edhe pse nuk do të ketë akses në kreditë e lëshuara nga BE. Megjithatë, shumë shtete anëtare priten të jenë të kënaqura me përfshirjen e Londrës në program, pasi vendi është një eksportues i madh i produkteve të mbrojtjes. Blloku përbën një të tretën e eksporteve totale britanike të mbrojtjes nga viti 2019 deri në 2023.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat