Europa Postuar më 9 Dhjetor 2025, 11:36

BE bie dakord për shpërndarjen e azilkërkuesve - Planifikohet zhvendosje brenda shteteve anëtare. Kosova, ndër vendet e sigurta

Nga Kristi Ceta

BE bie dakord për shpërndarjen e azilkërkuesve - Planifikohet

Ministrat e Brendshëm të BE-së ranë dakord për të thjeshtësuar refuzimet e kërkesave për azil e për të krijuar një listë të vendeve të sigurta. Gjithashtu, do të planifikohet zhvendosja e 21,000 azilkërkuesve brenda bllokut, për të lehtësuar presionin mbi shtetet më të prekura.

Ministrat e Brendshëm të BE-së ranë dakord për të thjeshtësuar refuzimet e kërkesave për azil dhe për të hartuar një listë të përbashkët të "vendeve të sigurta të origjinës". Për më tepër, parashikohen "zhvendosje" brenda Bashkimit Evropian.

Shtetet anëtare kanë arritur një marrëveshje për shpërndarjen e kërkuesve të azilit dhe për kontributet në të ashtuquajturin mekanizëm solidariteti. Brenda BE-së, 21,000 azilkërkues do të vendosen në vende të tjera për të lehtësuar presionin mbi shtetet anëtare të BE, që janë në një situatë veçanërisht të vështirë. Për këtë çështje ranë dakord ministrat e brendshëm në një takim në Bruksel.

Për më tepër, vendet më pak të prekura do të kontribuojnë me 420 milionë euro si pjesë e mekanizmit të solidaritetit.  Sipas kësaj mase, në të ardhmen do të zbatohen procedura të njësuara në të gjithë bllokun në lidhje me riatdhesimet. Kjo përfshin paraburgimin para dëbimit, ndalimet e rihyrjes dhe, mbi të gjitha, rregulla më të rrepta mbi mënyrën se si personat duhet të bashkëpunojnë me autoritetet.

Në analizën e tij, Komisioni Evropian klasifikon Greqinë, Qipron, Spanjën dhe Italinë, si vende që do të kenë të drejtë për solidaritet nga shtetet e tjera të BE-së vitin e ardhshëm, për shkak të presionit të lartë të emigrimit.

Megjithatë, deri tani, pak ministra të brendshëm janë të gatshëm të pranojnë më shumë refugjatë në të ardhmen. Shumë shtete, duke përfshirë Gjermaninë, mund të kërkojnë përjashtim nga ky detyrim sipas udhëzimeve të Komisionit. Ndër shtetet e BE-së që, sipas rregullave të reja, me shumë gjasa do të duhet të pranojnë emigrantë nga vende të tjera ose të japin kontribute solidariteti, janë shtete si Suedia, Portugalia, Hungaria, Rumania dhe Luksemburgu.

Veç kësaj, blloku ka ngritur për herë të parë një listë të përbashkët të vendeve të sigurta të origjinës. Në listë përfshihen Egjipti, Maroku, Tunizia, India, Kosova, Bangladeshi dhe Kolumbia. Për azilkërkuesit nga këto shtete do të përshpejtohen procedurat, si për shembull, duke i kryer ato drejtpërdrejt në kufi ose në zonat e tranzitit. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat