Europa Postuar më 7 Shtator 2026, 10:41

1 miliard euro ndihmë për fermerët - Thatësira dhe i nxehti godasin rëndë bujqësinë franceze

Nga Edel Strazimiri

1 miliard euro ndihmë për fermerët - Thatësira dhe i nxehti

Qeverian franceze ka njoftuar një paketë ndihme prej më shumë se 1 miliard euro për fermerët, pas dëmeve të shkaktuara nga valët rekord të të nxehtit dhe thatësira gjatë këtij viti.

Rreth 520 milionë euro do të shpërndahen menjëherë për të ndihmuar fermerët të përballojnë dëmet nga moti ekstrem. Ndërkohë, qeveria ka krijuar edhe një fond prej 235 milionë eurosh për rimëkëmbjen e fermave, duke financuar blerjen e farave, bimëve dhe ushqimit për kafshët.

Shoqata kryesore e fermerëve në Francë, FNSEA, vlerëson se humbjet nga prodhimi kanë arritur të paktën 10 miliardë euro. Sektorët e blegtorisë dhe bujqësisë kanë raportuar secili dëme mbi 5 miliardë euro.

Sipas qeverisë, rreth 30–35 mijë ferma ndodhen në vështirësi financiare.

Paketa përfshin gjithashtu lehtësime në taksën mbi tokën, mbështetje për pagesat e sigurimeve shoqërore dhe subvencione për karburantin.

Ministria franceze e Financave paralajmëron se moti i nxehtë dhe i thatë mund të ulë me 0.1 pikë përqindjeje rritjen ekonomike të vendit këtë vit, kryesisht për shkak të rënies së të ardhurave nga bujqësia.

Franca, prodhuesi më i madh bujqësor i Bashkimit Europian, pritet të përballet me një tjetër valë të nxehti gjatë kësaj jave.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat