Lajme Postuar më 26 Korrik 2025, 12:14

Energjia e rinovueshme “kursen” planetin - Mbi 90% e burimeve të gjelbra të reja, më të lira se alternativat fosile

Nga Kristi Ceta

Energjia e rinovueshme “kursen” planetin - Mbi 90% e burimeve

Energjia diellore dhe e erës janë tashmë pothuajse gjithmonë opsionet më të lira dhe më të shpejta për prodhimin e energjisë së re, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në vitin 2024, të dhënat tregojnë se kapaciteti global i energjisë së rinovueshme u shtua me 582 gigavat, një rritje prej gati 20% krahasuar me vitin 2023 dhe zgjerimi më i madh vjetor që prej fillimit të regjistrimeve. Sipas raportit të OKB-së, rreth tre të katërtat e zgjerimit të prodhimit të energjisë në mbarë botën erdhën nga era, dielli dhe burime të tjera të gjelbra.

Analiza të mëtejshme nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Rinovueshme mbështesin raportin e OKB-së, duke treguar se mbi 90% e burimeve të reja të rinovueshme në të gjithë botën ishin më të lira se karburantet fosile. Rreth 1.7 trilionë euro u investuan për energjinë e pastër vitin e kaluar, 685 miliardë euro më shumë sesa në karburante fosile, duke shënuar një rritje prej mbi 70% në dhjetë vjet.

Të dhënat e reja të publikuara nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë e Rinovueshme (IRENA) tregojnë se energjia nga era, dielli dhe hidrocentralet e reja ishin tre burimet më të lira të energjisë elektrike në 2024.

Energjia diellore tani është 41% më e lirë sesa karburantet fosile. Deri para pak kohësh, ajo ishte katër herë më e shtrenjtë. Edhe energjia e erës në det të hapur është 53% më e lirë dhe përfaqëson burimin më të përballueshëm të energjisë së rinovueshme.

Edhe pse kostot e energjive të gjelbra priten të vazhdojnë rënien me përmirësimin e teknologjisë dhe forcimin e zinxhirëve të furnizimit, ndryshimet gjeopolitike si tarifat tregtare, mungesa e lëndëve të para dhe dinamikat e reja të prodhimit, veçanërisht në Kinë, paraqesin rreziqe që mund të rrisin përkohësisht çmimet.

Në Evropë, kostot më të larta do të vazhdojnë për shkak të sfidave strukturore, si vonesat në dhënien e lejeve për projekte të reja dhe kapaciteti i kufizuar i rrjetit energjetik.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat