Bota Postuar më 25 Mars 2025, 12:00

Zbulohen planet e SHBA-së për luftën në Jemen - Zyrtarët e administratës Trump shpërndajnë “gabimisht” detajet

Nga Kristi Ceta

Zbulohen planet e SHBA-së për luftën në Jemen -

Zyrtarët e lartë të administratës Trump zbuluan gabimisht planet e luftës në një grup mesazhesh që përfshinte një gazetar pak para se Shtetet e Bashkuara të sulmonin Huthit në Jemen, që janë të lidhur me Iranin, njoftoi vetë Shtëpia e Bardhë.

Ligjvënësit demokratë e kritikuan me shpejtësi hapin e gabuar duke thënë se ishte një shkelje e sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe një shkelje e ligjit që duhet të hetohet nga Kongresi.

Kryeredaktori i Atlantic, Jeffrey Goldberg, tha në një raport se ai u ftua papritur më 13 mars në një grup bisede të koduar në aplikacionin e mesazheve Signal. Në grup, këshilltari i sigurisë kombëtare, Mike Waltz, ngarkoi zëvendësin e tij që të ndërtojë një ekip për të koordinuar veprimet e SHBA kundër grupit Huthi.

Presidenti i SHBA Donald Trump nisi një fushatë të vazhdueshme sulmesh ushtarake në shkallë të gjerë kundër grupit të Jemenit më 15 mars, si përgjigje ndaj sulmeve kundër anijeve të Detit të Kuq. Gjithashtu, ai ka paralajmëruar Iranin, mbështetësin kryesor të grupimit, se duhet të ndalojë menjëherë mbështetjen për të.

Disa orë para fillimit të këtyre sulmeve, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth postoi detaje operacionale në lidhje me planin në grupin e mesazheve, "duke përfshirë informacionin në lidhje me objektivat, armët që Shtetet e Bashkuara do të vendosnin dhe renditjen e sulmeve”.

Llogaritë që dukej se përfaqësonin Zëvendës Presidentin JD Vance, Sekretarin e Shtetit të SHBA Marco Rubio, drejtorin e CIA-s John Ratcliffe, e shumë figura të tjera të rëndësishme ishin pjesë e grupit të bisedës, shkroi Goldberg.

Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai nuk ishte në dijeni të incidentit. "Unë nuk di asgjë për të. Unë nuk jam një fans i madh i The Atlantic," tha Trump. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha më vonë se një hetim ishte duke u zhvilluar dhe Trump ishte informuar për të.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat